Lushaku-Sadriu e LDK-së thirrje LVV-së të mos përdorë gjuhë linçuese ndaj opozitarëve
Bashkëpunimi ndërmjet partive politike, gjuha e përdorur gjatë fushatës zgjedhore dhe funksionimi i institucioneve, u diskutuan në emisionin “Debat Përnime” më 02.06.2026 mes përfaqësuesve të partive politike, ku përfaqësuesja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj opozitës dhe bëri thirrje për një kulturë politike.
Ajo u deklarua në favor të bashkëpunimit politik, por tha se ky bashkëpunim nuk duhet të bëhet në dëm të demokracisë dhe procedurave institucionale.
Lushaku-Sadriu po ashtu kritikoi gjuhën politike të përdorur gjatë fushatës zgjedhore dhe kërkoi më shumë përgjegjësi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, fëmijët nuk duhet të jenë të përdorur për linçime e gjuhë të dëmshme ndaj opozitarëve.
“Nëse jemi konstruktiv duhet me qenë edhe tash gjatë fushatës e jo me përdor propagandë dhe shprehje të ndryshme ndaj partive të cilat ishin në opozitë. Prandaj kjo është një thirrje e imja direkte ndaj Vetëvendosjes për mospërdorimin e fëmijëve në kampanja zgjedhore edhe mospërdorimit të gjuhës së linçimit edhe të gjuhës së dëmshme ndaj opozitarëve sepse ajo po na përcillet pastaj tek fëmijët dhe po bëhet si kulturë e sjelljes dhe kjo ka një peshë publike.” – theksoi ajo.
Tutje ajo theksoi se LDK-ja ka treguar konstruktivitet duke mbështetur marrëveshje ndërkombëtare dhe zgjatje buxhetore, por ka kundërshtuar mënyrën e procedimit të ligjeve pa konsultime të mjaftueshme publike.
“Ne kemi qenë shumë konstruktivë. Pa asnjë marrëveshje me partinë qeverisëse, kemi votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare sepse kemi konsideruar që janë në dobi të Kosovës. Kemi miratuar dhe buxhetin edhe zgjatjet buxhetore duke e kuptuar emergjencën, por nuk jemi pajtuar asnjëherë me intensitetin edhe sjelljen e projektligjeve pa kaluar procedurat e rregullta, duke injoruar qytetarët, pa i përfshirë qytetarët në diskutime publike. Krejt kjo e ka cenuar rëndë demokracinë e vendit tonë dhe për këtë nuk do të kemi kompromise. Kjo metodë duhet me u thënë që është e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe kjo s’duhet me vazhdu. Prandaj nuk jemi bashkëpunues nëse dëmtohet cilësia e demokracisë.” – theksoi Lushaku-Sadriu.
www.kallxo.com