Abdixhiku: 31 tetori, datë e favorshme për zgjedhjet lokale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se i kanë kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor.

Abdixhiku pas takimit me Osmanin, në një konferencë për media, tha se fundi i tetorit është më i përshtatshëm për shkak të situatës me pandeminë dhe shtoi se edhe për çfarëdo date LDK-ja është e gatshme.

“Tetori është muaji i zgjedhjeve, dhe ne jemi gati si LDK në çdo datë të mundshme për t’u futur në garë. Por është rekomandim i yni që 31 tetori, për shkak të një organizimi më të mirë se zgjedhjeve pasi që Kosova është në pandemi dhe duhet të kalojë për trajnimin dhe vaksinimin dhe rimëkëmbje ekonomike. 31 tetori do të ishte datë e favorshme, por çdo datë është e pranueshme për LDK-në që i përafrohet muajit të tetorit dhe fundit të saj”, tha Abidxhiku.

Abdixhiku deklaroi se do të bëjnë reforma dhe ndryshime substanciale për të kthyer besimin e qytetarëve në LDK.

“Jam mjaft optimist që rezultati i zgjedhjeve të tetorit do të jetë rezultat që do t’i japë diferencën edhe rikthimin e LDK-së. Por puna vazhdon edhe pas zgjedhjeve lokale. Po bëjmë vlerësimet në degë, po bëjmë kandidaturat publike shumë më herët se zakonisht, po hapim dyert për njerëzit të rinj e me vullnet të mirë. Do ta dalim me program të mirë, i kemi komunat aktuale që janë duke e bërë punën më të shkëlqyeshme”, tha tutje kryetari i LDK-së.

Presidentja e vendit deri më tani ka zhvilluar takim me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Kurti tha pas takimit se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale është muaji tetor.

Ndërkaq Hoxhaj tha se kanë kërkuar që këto zgjedhje të mbahen më 31 tetor 2021.