FOTO: AAK

AAK kundër Hotit, nuk e pranon Skender Hysenin në dialog

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur sot se nuk e përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta koordinatorësh, duke e konsideruar si të gabuar dhe kthim prapa në pozicionin e Kosovës.

Ky qëndrim i AAK-së u bë i ditur sot pas mbledhjes së strukturave të kësaj partie, ku zyrtarisht lideri i saj Ramush Haradinaj mori besimin e partisë së tij për kandidaturën e tij për president të vendit.

“AAK nuk përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta koordinatorësh, duke e konsideruar si të gabuar dhe kthim prapa në pozicionin e Kosovës. AAK përkrah dialogun me lidership amerikan, që do përfundojë me njohjen reciproke mes dy vendeve. Koalicionin qeveritar e kemi mbështetur pa kushte, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, në mënyrë që një qeveri legjitime të marrë masat e duhura në dobi të qytetarëve të vendit. Por, AAK nuk do të përkrah marrëveshjet e natyrës teknike në të cilat ekziston rreziku që po rrëshqasim”, thuhet tutje në njoftimin e AAK-së.

Në njoftim tutje thuhet se: “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh ngushëllime për të gjithë ata që kanë humbur familjarët me Covid-19. Aleanca fton qytetarët e vendit, të respektojnë udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, në mënyrë që sa më shpejt të dalim nga kjo pandemi”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

“Aleanca nuk përkrah bllokimin e vendit, kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe bllokimin e bizneseve dhe ekonomisë. Përkundrazi, Aleanca konsideron se bizneset dhe qytetarët duhet të mbështeten sa më shumë me grante e subvencione, që do ndihmojnë në kapërcimin e krizës aktuale”, thuhet tutje në njoftim.