AAK: I kemi nënshkrimet, jemi duke bërë kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se i kanë mbledhur nënshkrimet dhe se janë duke bërë një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energjinë Elektrike për shtrenjtimin e rrymës.

“Ne kemi diskutuar me grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, jemi duke i mbledhur nënshkrimet. I kemi nënshkrimet e mbledhura, jemi duke bërë kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Tahiri gjithashtu tha se si deputet paguhen që të ndalin veprime të dëmshme duke shtuar se do të punojnë që të anulohet ky vendim i ZRrE-së.

“Ne mendojmë që gara duhet të ndodhë në Kuvend, në seancë. Si deputetë paguhemi me ndalë një vendim tepër të  dëmshëm të ZRrE-së e cila ka qenë gjatë gjithë kohës e sinkronizuar me Qeverinë në raport me këto tarifa. Andaj ne i kemi nënshkrimet dhe do të punojmë që kjo të ndodhë“, tha Tahiri.

Tutje ai shtoi se do të përdorin të gjithë mekanizmat përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese për të ndalur këtë vendim.

“Ne duhet të mundohemi që nga Kuvendi për shkak se ZRrE është organ i Kuvendit, kështu që nga Kuvendi do të shohim që këtë çështje ta revokojmë, në qoftë se duhet të përdorim të gjithë mekanizmat pse jo edhe Kushtetuesen për ta ndalur“, ka deklaruar Tahiri.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovatë energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.