ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Prishtinë: 15 të burgosur në grevë urie kërkojnë falje të dënimit

15 të burgosur për vepra të ndryshme të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinës, kanë refuzuar shujtën ushqimore të mëngjesit në shenjë proteste.

Kjo për shkak se të njëjtit po kërkojnë falje të dënimit nga ana e Presidentit të Kosovës për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Po janë 15 persona të cilët kanë refuzuar ushqimin këtë mëngjes. Refuzimi është bërë për shkak se të njëtit po kërkojnë falje nga presidenti”, ka thënë për KALLXO.com, Zëdhënësi i SHKK-së Florent Gashi.

Një lloj ‘proteste’ e tillë, para disa ditësh ishte edhe në Burgun e Dubravës.

KALLXO.com kishte raportuar se të burgosurit e një pavijoni në burgun e Dubravës kishin refuzuar ushqimin e drekës nën arsyetimin se kërkojnë faljen e presidentit.

KALLXO.com mëson se mbi 50 kërkesa janë bërë nga të burgosurit të cilët për vepra të ndryshme kërkojnë që t’iu falen dënimet me dekret të Presidentit Thaçi.

Ligji për faljen e dënimeve ka hyrë në fuqi që nga viti 2009 ndërsa janë falur më shumë se 250 persona.

Disa të burgosur refuzojnë ushqimin në shenjë ‘proteste’, kërkojnë faljen e dënimit nga Presidenti