12 muaj burg dhe 2,000 euro gjobë për të akuzuarin për hyrje në sisteme kompjuterike

Slavko Golijan, i akuzuar për veprën hyrje në sisteme kompjuterike, sot u dënua nga Gjykata e Prishtinës.

Golijan u dënua me 12 muaj burg dhe 2000 euro gjobë pasi që ai kishte arritur marrëveshje me prokurorinë speciale që ta pranoj fajësinë.

Në seancën dëgjimore prokurori special, Burim Qerkini i propozoi gjykatës që marrëveshjen mes tij dhe Golijan ta aprovoi në tërësi dhe të akuzuarit t’i shqiptoj dënimin siç e ka rekomanduar në marrëveshje.

Prokurori i këtij rasti, gjatë seancës po ashtu shtoi se ka hequr dorë nga veprat penale tjera për të cilat ishte duke u hetuar Golijan.

“Ne e dimë që i akuzuari ka qenë duke u hetuar edhe për vepra tjera penale por si rezultat i negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë prokuroria speciale ka hequr dorë, pra për disa nga veprat dhe tash kemi një akuzë me vepër penale të caktuar”- tha Qerkini.

Tutje Golijan bashkë me mbrojtësin e tij, avokatin Gani Hoxha, po ashtu i propozuan gjykatës që marrëveshja të aprovohet si dhe në shqiptimin e dënimit të llogaritet koha kur Golijan ka qenë në paraburgim.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Valbona Musliu Selimaj me aktvendim në seancën e sotme dhe me propozimin e palëve e aprovoi këtë marrëveshje dhe vazhdoj në shqiptimin e dënimit për Golijan.

Gjyqtarja Selimaj të akuzuarin Golijan e dënoi me 12 muaj burgim dhe 2000 euro gjobë, ashtu siç është rekomanduar në marrëveshjen mes prokurorisë dhe të akuzuarit.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në muajin gusht të këtij viti ndaj Slavko Golijan për shkak të dyshimit se ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në sistemet kompjuterike.

Sipas aktakuzës Golijan në bashkëpunim me persona të tjerë në mënyrë ilegale dhe pa autorizim ka siguruar kartela bankare të kreditit VISA dhe ka vënë në qarkullim çeqe me qëllim të përfitimit pasuror.