Qyteti i Lipjanit, Foto: KALLXO.com

10 raste të reja me COVID-19 në Lipjan, numri total shkon në 452 të infektuar

Në komunën e Lipjanit janë shënuar 10 raste të reja me COVID-19, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë e Komunës së Lipjanit, Merita Bytyçi ka bërë të ditur për KALLXO.com se numri i të infektuarve në këtë komunë me COVID-19, ka shkuar në 452 raste.

“Nga 16 testime në 24 orët e fundit 10 janë pozitiv. Ka qenë shqetësuese pasi dje kanë qenë 9 testime dhe 2 pozitiv, kurse të mërkurën rezultati ka qenë nga 8 testime, 8 kanë dalë pozitiv”, tha ajo.

Ajo ka përmendur shkaktarët e rritjes së rasteve të reja me coronavirus.

“Po e shohim që numri i rasteve të reja është në rritje e sipër për dallim prej disa javëve të kaluara. Ne jemi komunë e frekuentuar dhe që komunikojmë me shumë qytete të komunave të tjera. Prandaj edhe këtë qarkullimin e konsideroj se mund të bëhet përphapaj më e madhe e rasteve”, theksoi ajo, për KALLXO.com.

Drejtoresha e Shëndetësisë ka folur edhe rreth mundësisë së rikthimit të izolimit, përkatësisht kufizimit të orarit të lëvizjes së qytetarëve.

“Sa i përket izolimit, ndoshta e ka anën pozitive në zvogëlim të numrit të rasteve, por po i ka edhe anët tjera negative, sidomos për bizneset. Është ‘thikë me dy tehe’. Unë do të thoja që jo në izolim krejt, por të ketë kontroll më të rreptë në respektim të masave”, tha ajo.

Bytyçi mes tjerash ka shtuar se zbatimi i tri masave që janë mbajtja e higjenës, e maskave dhe distancës do të mundësonte rënine e numrit të rasteve me COVID-19.

Të premten në Kosovë është shënuar numër rekord i rasteve të reja me COVID-19, pasi nga 1,608 mostra, pozitive kanë rezultuar pozitive 418 raste.