Foto: Kallxo.com

10 ditë në izolim, drejtoresha e QKMF-së në Viti thotë se janë mirë me shëndet

Vjollca Kadolli, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, së bashku me 17 anëtarë të personelit shëndetësor, janë afër përfundimit të periudhës së vetizolimit pasi që u kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë.

Ata u mbyllën  pas konfirmimit të rastit të parë me coronavirus nga kjo komunë, e që ishte rasti i parë në Kosovë.

Ajo ka thënë se të gjithë janë mirë dhe se do të qëndrojnë të izoluar edhe ditët e mbetura.

“Po, ne jemi ende në vetizolim. Duhet të zbatojmë rekomandimin për 14 ditë izolim”, ka thënë Kadolli për KALLXO.com.

Komuna fillimisht u kishte sjellë ushqim, por tani, Kadolli thotë se nuk kanë dashur të marrin ushqim nga Komuna pasi që nuk kanë pasur nevojë.

“Ushqim na kanë dhënë në fillim, ditën kur kemi qenë në QKMF në izolim. Pastaj pasi kemi dalë në shtëpi private (të cilat na kanë lëshuar familjarët që jetojne jashtë shtetit), Komuna ka kërkuar me na sjellë ushqim kudo që jemi, por pasi që kemi familjarë afër s’e kemi parë të arsyeshme”, tha Kadolli.

Më 20 mars mjekët dhe stafi shëndetësor në Viti i ishin nënshtruar testimit për coronavirus pas kërkesës së tyre të vazhdueshme por fatmirësisht kishin dalë negativ në Covid-19.

Kujtojmë se deri tani numri i rasteve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 61, ndërsa dy ditë më parë është shënuar edhe viktima e parë nga kjo pandemi në vendin tonë.

Rasti i parë me koronavirus në Kosovë ishte një 77-vjeçar nga Stublla e Vitisë, i cili kishte ardhur nga Italia.