Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.

21 marsi, dita që kthen vëmendjen te poezia

Që nga viti 1999, me vendim të UNESCO-s, çdo 21 mars në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Poezisë.

Qëllimi i kësaj dite është që t’ia rikthejë poezisë namin e dikurshëm, të rrisë interesimin dhe shtytjen për të krijuar.

Përmes organizmit të aktiviteteve të ndryshme, poetët recitojnë krijimet e tyre, komunikojnë me audiencën, duke zgjuar kërshërinë për poezinë.

Studiues e krijuesit kosovarë thonë për KALLXO.com se kjo ditë bashkon njerëzit për të shkëmbyer dhe lexuar poezi, duke krijuar lidhje të forta dhe duke ndarë një dashuri të përbashkët për letërsinë.

Sipas tyre, shënimi i kësaj dite ofron edhe një rast për të kujtuar dhe për të nderuar poetët e mëdhenj të kaluar dhe të tashëm, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë kombëtare shqiptare dhe atë botërore.

Mesazhi i 21 marsit

Sociologu Avni Rudaku thotë për KALLXO.com se Dita Botërore e Poezisë është ndërgjegjësim për fuqinë e fjalës, duke inkurajuar njerëzit të shprehin emocionet dhe mendimet e tyre nëpërmjet poezisë.

Ai thotë se kjo ditë nxit krijimin e poezisë dhe zhvillimin e aftësive letrare tek individët të cilët shprehin mendimet e tyre nëpërmjet poezisë.

“Poezia ka fuqinë të frymëzojë dhe të inkurajojë njerëzit për të ndërmarrë ndryshime pozitive në jetën e tyre, duke reflektuar mbi përvojat dhe ndjenjat e tyre. Është edhe terapi shpirtërore për individët, çlirim ndjenjor dhe më shumë se kaq. Shkrimi dhe leximi i poezisë mund të ndihmojë individët të kuptojnë më mirë veten dhe të shprehin identitetin e tyre personal nëpërmjet fjalëve, figurave, simbolikave, ironisë, cinizmit, metaforës, alegorisë, krahasimit etj”- ka thënë Rudaku, duke shtuar se poezia reflekton për ngjarjet historike, përvojat personale dhe shpresat për të ardhmen, duke krijuar një burim reflektimi dhe frymëzimi për lexuesit.

Ndërsa, shkrimtari Shyqri Galica, ka shkruar në Facebook se Dita Botërore e Poezisë, reflekton edhe në nxitjen e një krijimtarie sa më cilësore.

Sipas tij, arti poetik gjithnjë është konsideruar krijimtari elitare, që pa dyshim kërkon nxitje dhe përkushtim të veçantë.

“Me gjithë mendimet e ndryshme për leximin e poezisë, duke pasur parasysh teknologjinë moderne, internetin, mendojmë se poezia edhe sot është arti më i lexuar dhe që kultivohet me dashuri e fanatizëm nga shumë poetë anembanë botës”- ka potencuar ai, ndër të tjera.

Poezia e sotme shqipe

Shkrimtari Fatmir Halimi thotë se 21 marsi e gjen poezinë shqipe me më pak lexues dhe me një treg të vogël.

Ai thotë se sot ka shumë poezi, por pak cilësi.

“Poezia që krijohet sot është e një niveli të ulët artistik. Poezinë sot, përveç poetëve të mirëfilltë, e që janë të paktë, e krijojnë kryesisht njerëzit që nuk janë të thirrur për të krijuar poezi” – tha ai për KALLXO.com.

Edhe Avni Rudaku ka thënë për KALLXO.com se ndonëse ka shumë poetë dhe poete në Kosovë, krahasuar me kuantitetin, ka pak cilësi.

“Me shpërthimin e medieve sociale ka degraduar edhe poezia, pasi që shumë shkrues të poezisë, duke pasur qasje si redaktorë dhe kryeredaktorë të faqeve të tyre personale e sociale, kanë marrë vlerësime subjektive nga rrethi i miqve dhe familjarëve, duke mos u shoshitur siç duhet cilësia e poezisë”- ka thënë Rudaku.

Ndërsa, Zymer Mehani, shkrimtar, thotë se niveli artistik i poezisë shqipe të ditëve të sotme ndryshon nga autori në autor dhe vlerësimi për të është subjektiv.

“Ka shumë poetë të talentuar në skenën e poezisë shqipe sot, të cilët eksperimentojnë me tema, stile dhe forma të ndryshme. Në krahasim me poezinë e huaj, është e vështirë të bëhet një përcaktim i përgjithshëm për nivelin artistik, pasi çdo traditë letrare ka vlera të saj unike dhe çdo kulturë ka ndikime të ndryshme në formimin e poezisë së tyre”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Mehani ka thënë se edhe interesimet e publikut për poezinë ndryshojnë nga personi në person.