Salla Koncertale, Galeria e Qytetit

Prezantohet projekti për Sallën Koncertale dhe Muzeun e Artit të Kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka prezantuar projektet për Sallën Koncertale dhe Muzeun e Artit në Kryeqytet.

Të dy këto projekte do realizohen tek ish objekti i Gërmisë si dhe pjesa poshtë tij. Derisa, arkitektura e kësaj ndërtese ikonë do ruhet tërësisht.

Rama shtoi se ka diskutuar me artistin Kengo Kuma, dizajni i të cilit është përzgjedhur fitues, për detajet e fundit të këtij projekti.

“Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të Kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit.  Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës.  Arkitektura unike e ndërtesës ikonë të Kryeqytetit, do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë. Por në të njëjtën kohë ne do të krijojmë një Sallë Koncertale e Muze të Artit super modern”- ka shkruar Rama.

Ai tutje potencoi se po realizojnë një kërkesë të kahmotshme të artistëve, që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehin artin e tyre, në kushte shumë më të favorshme, ashtu siç bëjnë artistët me renome botërore.

Në maj të këtij viti komuna ndau 1.6 milionë euro që objekti i Gërmisë të shndërrohet në një qendër multikulturore ku do akomodoheshin salla koncertale dhe Galeria e qytetit.

Kompleksi në fjalë është nën mbrojtjen e shtetit, pjesë e Listës së Trashëgimisë për Mbrojtjen e Përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe si i tillë duhet të trajtohet gjatë zhvillimit të konceptit të ndërhyrjes.

Ish-kryetari Shpend Ahmeti pati hapur konkurs ndërkombëtar që ish-Gërminë ta kthente në sallë koncertale, duke ia ruajtur identitetin e jashtëm. Projekti nuk kishte nisur pasi mandati I tij ishte në përfundim.

Derisa, më 14 mars të këtij viti, kryetari Përparim Rama priti në takim artistin japonez Kengo Kuma, fituesin e konkursit të projektit për qendrën multikulturore, dhe i dhuroi edhe simbolin e Prishtinës ‘Hyjnesha në Fron’.

Tashmë edhe stafi i Administratës Tatimore të Kosovës që kanë qenë në këtë objekt janë zhvendosur në lagjen ‘Arbëria’.

 

Salla Koncertale, Galeria e Qytetit
Salla Koncertale, Galeria e Qytetit
Salla Koncertale, Galeria e Qytetit
Salla Koncertale, Galeria e Qytetit
Salla Koncertale