Tryeza ‘Atlasi Etnografik i Fshatit në Kosovë’. Foto: KALLXO.com.

Prezantohen rezultatet e projektit ‘Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë’

Dega e Folklorit dhe Dega e Etnologjisë të Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAK) kanë mbajtur sot tryezën shkencore, “Atlaset etnografike të fshatrave në Kosovë e Shqipëri: reflektim mbi kompleksitetin e hulumtimit të fshatit bashkëkohor”.

Kjo tryezë është organizuar në kuadër të projektit “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë”.

Lumnije Kadriu, Këshilltare e Lartë shkencore në IAK-së dhe bartëse e projektit “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë”, tha për KALLXO.com se tryeza e sotme ka për qëllim theksimin e disa rezultateve të arritura gjatë hulumtimit nëpër fshatrat në kuadër të këtij projekti.

Kadriu ka thënë se hulumtimet në kuadër të projektit 1 vjeçar “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë” janë bërë në 18 fshatrat në rajone të ndryshme të Kosovës, duke marrë parasysh shumësinë etnografike të këtyre rajoneve.

Sipas saj, qëllimi projekti “Atlasi Etnografik i Fshatit në Kosovë” është që të identifikohet se çka është ruajtur në fshatra, ndryshimet dhe gjendja aktuale e tyre, njëkohësisht të zbulohen dhe identifikohet se cilat fshatra kanë potencial për zhvillim të turizmit.

“Janë disa fshatra që dikur (fshatarët) kanë pasur jetë trans-humane, që një pjesë të jetës së tyre e kanë zhvillu brenda fshatit kurse pjesën tjetër në bjeshkë dhe është tejet interesante të shihet se si ka ndryshuar raporti i banorëve të fshatit me bjeshkën e tyre, e cila tash nuk është ekskluzivisht pjesë e jetës së tyre ekonomike me bagëtie blegtori, por pjesë e turizmit, relaksit, restoranteve etno, ecjes, pra totalisht një qasje të” – ka pohuar Kadriu.

Ajo ka thënë se materialet e grumbulluar në kuadër të projekti kanë një vlerë të madhe kulturore.

“Regjistrimet e bërë nga hulumtuesit nuk mund të përsëritën në asnjë kohë në të ardhme, andaj ky hulumtim sidomos incizimet e realizuara me kalimin e kohës do të fitojë vlerën dhe peshën e saj, sepse janë regjistruara aspekt të rëndësishme ë traditës e cila po harrohet shpejt, në një kohë të ndryshimeve të mëdha”- ka thënë Lumnije Kadriu  KALLXO.com.

Rezultatet e projektit “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë” do të jenë i qasshëm për publikun, për realizmin e temave të ndryshme lidhur me trashëgimin etnografike të Kosovës.