Peter Magyar, kryeministri i ri i Hungarisë. Burimi: Facebooku i tij

Partia fituese në Hungari synon që ta kufizojë deri në 8 vjet qëndrimin në pushtet kryeministrave

Partia hungareze në pushtet, Tisza, ia ka dorëzuar parlamentit të mërkurën vonë, më 20.05.2026 një amendament kushtetues që do t’u lejonte kryeministrave të shërbenin maksimalisht tetë vjet dhe në fakt do t’ia ndalonte ish-kryeministrit Viktor Orban kthimin në të njëjtin post, ka raportuar të enjten Reuters.

Kryeministri Peter Magyar, i cili rrëzoi Orbanin nacionalist në zgjedhjet e prillit pas 16 vjetësh, ka thënë se do të përdorë shumicën e kualifikuar parlamentare për zhbllokimin dhe ndryshimin e legjislacionit të aprovuar nga Fideszi i Orbanit, përfshirë kushtetutën, me qëllim rivendosjen e kontrolleve dhe balancave demokratike.

Sipas projekt-amendamentit, postuar në faqen e parlamentit hungarez, ata që më parë kishin mbajtur rolin e kryeministrit për të paktën tetë vjet “nuk mund të zgjidhen kryeministra”. Kjo vlen për mandatet e kryeministrit të mbajtura pas datës 2 maj 1990.

Ai gjithashtu thotë se kryeministri do të duhet të largohet nga detyra pas një totali prej tetë vjetësh, ose dy mandatesh.

Amendamenti gjithashtu hap rrugën për shpërbërjen e Zyrës së Mbrojtjes së Sovranitetit, organ i krijuar nga Orban më 2023 dhe që më parë i listonte mediat të konsideruara si kërcënim për sovranitetin e Hungarisë dhe kishte të drejtën “t’i hetonte aktivitetet që kërcënojnë sovranitetin e vendit”.

Bazuar në projektligj, qeveria hungareze do të kërkonte gjithashtu të drejtat e themeluesve të të ashtuquajturave fondacione të menaxhimit të aseteve me interes publik, të cilat financojnë një mori universitetesh, dhe qeveria mund t’i shpërbëjë fondacionet.

Në këtë rast, asetet shtetërore me vlerë qindra miliardë forinte hungareze dhe të transferuara në këto fondacione nga qeveria e Orbanit do t’i ktheheshin shtetit.

“Amendamenti e bën të qartë se megjithëse fondacionet … janë entitete private, asetet e tyre janë asete kombëtare”, thuhet në të.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com