Nesër protestohet para Ambasadës Suedeze në Prishtinë për Çmimin ‘Nobel’

Nesër, e enjte, 17 tetor 2019, do të protestohet para Ambasadës Suedeze në Prishtinë kundër vendimit të Akademisë Suedeze të Shkencave për dhënien e Çmimit ‘Nobel’, shkrimtarit austriak Peter Handke.

Protesta do të mbahet në ora 11:00 para selisë së Ambasadës Suedeze në Prishtinë.

Ben Apolloni organizatori i kësaj proteste përmes llogarisë së tij në Facebook, ka ftuar qytetarët kosovarë që masovikisht t’i bashkohen kësaj proteste, siç ka thënë ai paqësore kundër dhënies së Çmimit “Nobel” 2019, shkrimtarit Peter Handke.

“I ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës, organizatat dhe institucionet e shtetit, që të enjten, më 17 tetor, në orën 11:00, para selisë së Ambasadës Suedisë, në Prishtinë, të dalin në protestë paqësore kundër dhënies së Çmimit Nobel 2019 shkrimtarit Peter Handke, i cili njihet si mbështetës i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”, ka shkruar Apolloni në Facebook.

Gjithashtu, Apolloni i fton edhe të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, që të protestojnë para selive të Ambasadave të Suedisë, në vendet ku jetojnë.