Pamje nga koleksioni i veprave të blera nga MKRS në 2022. Foto: KALLXO.com.
MKRS tregon se ku janë ekspozuar veprat e blera nga artistët vendorë
Mbi 80 vepra arti pamor të gjinive të ndryshme të artistëve vendorë ishin blerë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në 2022. Një numër i konsiderueshëm i këtyre veprave janë ekspozuar nëpër institucionet shtetërore e ambasada të Republikës së Kosovës.
Për herë të parë në 2022, MKRS nisi praktikën e blerjes së veprave të artit pamor nga artistë vendorë.
Qëllimi i blerjes së veprave të artit të gjinive të ndryshme nga artistë vendas, sipas MKRS është pasurimi i fondit shtetëror të veprave të arteve pamore, por edhe prezantimin e atit pamor kosovarë përmes ekspozimit të tyre në institucionet shtetërore, duke për fshirë edhe ambasadat e Republikës së Kosovës.
Fondi shtetëror i veprave të artit pamor, i cili menaxhohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës numëron mbi 1300 vepra duke përfshirë edhe veprat nga koleksioni i Grandit – 120 vepra, 87 vepra të blera në vitit 2022 nga MKRS dhe 75 vepra nga koleksioni i “Manifesta 2022”.
Një pjesë e këtij fondi, duke përfshirë edhe ato të blera janë ekspozuar në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkaq, mbi 60 vepra të reja pritet t ‘i shtohen fondit shtetëror të veprave të arteve pamore të cilat në pjesën më të madhe ruhen në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Më 25.10.2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën preliminare për blerjen e veprave të artit nga artistë vendor për 2023.
Veprat e blera në 2022
Mbi 80 vepra arti pamor të gjinive të ndryshme të artistëve vendorë ishin blerë nga MKRS-ë në 2022. Zyrtarë të MKRS kanë thënë për KALLXO.com se një numër i konsiderueshëm i këtyre veprave janë shpërndarë nëpër institucionet shtetërore e ambasada të Republikës së Kosovës.
Zana Fetiu, zëdhënëse e MKRS-ë, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se veprat e blera nga viti i kaluar janë sistemuar në depot e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ndërsa ka thënë ajo, një numër i madh i këtyre veprave, dhe vepra të tjera nga koleksioni i GKK, janë të ekspozuara në shumë institucione publike të Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nëpër botë.
“Ndër këto institucione janë: Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeparlamentarit, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Ambasada e Kosovës në Lisbonë, Portugali, Ambasada e Kosovës në Londër, Angli, Ambasada e Kosovës në Hagë, Holandë”- ka thënë Fetiu.
Fondi artistik i GKK
Alisa Gojani- Berisha, zëvendësues e drejtorit të GKK-së, ka thënë për KALLXO.com, se mbi 1300 vepra të artit të gjinive të ndryshme janë pjesë e fondit të institucionit që ajo drejton.
“Fondi shtetëror i veprave të artit pamor, i cili menaxhohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës numëron mbi 1300 vepra të gjinive të ndryshme të artit pamor, duke përfshirë 120 veprat e koleksionit të Grandit, 87 vepra nga blerja e vitit 2022 nga MKRS dhe 75 vepra nga koleksioni i ‘Manifesta 2022’- ka thënë Gonjani -Berisha.
Një pjesë e këtij fondi, duke përfshirë edhe ato të blera janë ekspozuar në institucione shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Për mungesë të hapësirës, GKK nuk ka një ekspozitë të përhershme me veprat nga koleksioni i saj.
“Sa i përket mungesës së një ekspozite të përhershme, duke marr në konsideratë kapacitet e limituara për ekspozim në GKK, në rrethanat aktuale nuk është e përshtatshme të kemi ekspozita të atij formati. Sidoqoftë, galeria ndër vite ka organizuar ekspozita të përkohshme të cilat kanë pas fokus të veçantë prezantimin e veprave nga fondi i Galerisë”- ka thënë zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Alisa Gojani- Berisha.
GKK-ja është në fazën e hartimit të projektit renovimin e objekti të saj, dhe, siç ka thënë zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Gojani- Berisha, prioritet do t`i kushtohet trajtimit të hapësirave dhe rritja e kapaciteteve për krijimin e kushteve të përshtatshme për ruajtjen e koleksionit aktual dhe pasurimin e këtij koleksioni.
Blerjet në 2023
Më 25.10.2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën preliminare për blerjen e veprave të artit nga artistë për 2023, sipas Thirrjes së MKRS për blerje të veprave të artit të datës, 05.05.2023.
Prej 340 aplikimeve të pranuara nga kjo thirrje për blerje të reja për koleksionin kombëtar të artit, juria e formuar nga MKRS ka përzgjedhur të blejë mbi 60 vepra nga 40 artistë, sipas listës preliminare.
Sipas jurisë vlerësuese, procesi i përzgjedhjes u drejtua nga një sërë kriteresh që për synim kanë pasurimin e koleksionit ekzistues, duke zhvilluar njëkohësisht një kornizë konceptuale dhe të qëndrueshme për blerjet e ardhshme.
“Me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe media të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë të temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura të video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili”- thuhet në raportin e jurisë vlerësuese për Thirrjen për blerjen e veprave të Artit.
Lista finale me vepra e blera nga artistë vendorë nga MKRS pritet të dihet tek pas afatit të ankesave (15.11.2023) dhe shqyrtimit të tyre nga ana e MKRS-ë.