Panairi i Librit ‘Prishtina 2025’. Foto: KALLXO.com.
Hapet Panairi i Librit ‘Prishtina 2025’
Edicioni i 25-të i Panairit të Librit, “Prishtina 2025” është hapur të mërkurën, më 11.06.2025, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Ceremonisë së hapjes së këtij panairi i ka paraprirë një performancë artistike e aktorit Xhevat Limani. Për dallim nga vitet e kaluara në ceremoninë e hapjes së panairit munguan figurat e larta shtetërore.
Organizatorët thanë se edicioni i panairit të sivjetmë mbahet me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, tha gjatë ceremonisë së hapjes se panairi ka mbushur një çerek shekulli dhe është ngjarja kryesore për librin në Kosovë.
“Një çerek shekull histori, një çerek shekull traditë e kujtesë në kryengjarjen e fushës së librit në Kosovë e po ashtu një nga ngjarjet kryesore të skenës kulturore. Libri vijon të jetë porta magjike më e afër dhe më e ndjerë për njeriun, të lexuarit vijon të jetë ushtrimi më i mirë për mendjen tonë, trurin tonë, për universin që gjithsecili nga ne e ka Brenda vetës. Këtu jemi mbledhur qindra njerëz që i bashkon pikërisht librit, puna për librin dhe interesi për librin”- tha ai.
Kurse, Sibel Halimi – drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, u shpreh se inteligjenca e vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri.
“Sot jemi mbledhur këtu në këtë panair të librit, nën titullin kuptim plotë, ‘Inteligjenca rrjedhe nga libri’, për të kremtuar fuqinë e fjalës së shkruar dhe për të reflektuar mbi një pyetje thelbësore; Çfarë është inteligjenca në kohën tonë? Në një epokë ku inteligjenca është bërë sinonim i algoritmeve, i shpejtësisë dhe sistemeve të ndërlikuara artificiale, sot na kujtohet se inteligjenca e vërtet ka lindur dhe rrjedh nga libri”- tha Halimi.
Nga një fjalë rasti gjatë ceremonisë mbajtën edhe Sophie (Sofi) Kepes – mysafire nga Franca dhe Alda Bardhyli nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë.
Rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora kanë ekspozuar botimet e tyre në stendat e panairit, ku rreth 2 mijë prej tyre janë tituj të rinj.
Shqipe Marku nga Botime Françeskane në Shkodër, tha për KALLXO.com se këtë edicion kjo shtëpi botuese është prezantuar me veprat origjinale të kolosëve françeskan nga Shkodra, si Fishta, Arapit e Pllumi.
“Ne jemi shumë të gëzuar që jemi këtu, këtu është me qenë fretërit, me qenë botimet origjinale, si ‘Lahuta e malësisë’ si ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’ apo kolanat e Atë Anton Harapit, çdo botim është botim origjinal dhe botim anastatik. Prandaj ne jemi këtu, gjithë studiues, gjithë lexuesit e dinë kush janë fretërit, kush janë françeskanët dhe kontributin që kanë dhënë për historinë e Shqipërisë dhe traditën e shkrimit”- tha Marku.
Ndërsa, Eronita Kqiku nga Shtëpia Botues “Bard Books” në Prishtinë u shpreh se këtë edicioni prezantohen me botime mjaft interesante për lexuesin.
“Atëherë ‘Bard books”, prezantohet sivjet më një numër të madh të librave, duke përfshirë dy libra nga Ag Apolloni, ‘Sikur të isha djalë’ dhe ‘Predikimet e Pragës’, pastaj we për herë të parë vjen në gjuhën shqipe novela ‘Taifuni’ I Xhozef Hunter; ‘E thëna figurativiste” e Ulla Hah, është një poete bashkëkohore, gjithashtu që për herë të parë vjen në gjuhën shqipe; kemi ‘Njerëz të mëdhenj’ nga Ralph Waldo Emerson; ‘Përvojë dhe Thagmë’ nga Arben Idrizi; Tinka Kurti me ‘Më quaj Izmir’; Xhon Don me ‘Askush nuk është ishull’, gjithashtu një botim i ri që përherë të parë vjen në gjuhën shqipe, pastaj një poete debutante Fatbarshë Hasi dhe drama nga Stefan Çapaliku, ‘Kujtime’”- tha ajo.
Gjatë këtij panairi do të mbahen mbi 40 aktivitete, promovime librash të autorëve pjesëmarrës në panair. Gjithashtu do të shënohen edhe përvjetorët e shkrimtarëve të njohur, si: Martin Camajt, Faik Konicës, Pashko Vasës e Pjetër Bogdanit.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 15.06.2025.
Panairi i Librit në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.



