Përparim Rama i drejtohet asamblistes së LVV-së: Ajo që po thua është rrenë!

Propozimi për këmbim të pronës së komunës me disa parcela private në Kuvendin Komunal në kryeqytet ka shkaktuar debat e pakënaqësi mes asamblistëve të LVV-së dhe drejtoreshës së pronës, Doruntinë Maloku e kryetarit Përparim Rama, ku këtij të fundit asamblistja e LVV, Nora Kelmendi i tha t’i kërkoj falje pasi Rama e akuzoi se ‘po rrenë’ në pretendimet e saj.

Debati nisi pasi komuna propozoi të këmbej pronën 20 hektarësh me 8  hektarë, të prezantuar nga Drejtoresha e Pronës, Doruntinë Maloku.

“Prona e paluajtshme komunale që do jepet në këmbim është 208 mijë metër katror, me disa parcela në zonën e Zllatarit me sipërfaqe totale mbi 84 mijë metër katror” – tha Maloku.

Nora Kelmendi, asambliste e LVV-së tha se mungojnë dokumente për parcelat komunale dhe se komuna po jep më shumë pronë në këmbim.

“Sipas dokumentit, komuna i këmben 20 hektarë me 8 hektarë të pronës private. A mundet prona komunale të këmbehet me disa parcela, pasi këtu ka diskrepancë, dhe a mund të bëhet këmbim i këtyre parcelave që nuk janë në kufi kadastral. Çfarë interesi publik ka komuna të bëjë këtë këmbim?”- shtoi Kelmendi.

Maloku në anën tjetër i replikoi duke i kujtuar se është Ministria e Financave ajo që bënë vlerësimin e pronave.

“Shpesh herë në këmbime vendoset si pjesë e parcelës, e pas vlerësimit vendoset kufiri. Nuk mund të paragjykojmë vlerën e një tokë në Badoc me vlerën e një toke në Çagllavicë”- shtoi Maloku.

Lidhur më këtë, Nora Kelmendi i kërkoi të marrin njëherë vlerësimin në ministri e më pas ta sjellin si propozim në asamble.

“Kjo që po bëni ju është shkelje, kjo është për prokurori, kryetar mos hesht” – shtoi ajo.

Kryetari Përparim Rama më pas iu drejtua se ajo që po thotë është e pavërtetë dhe se ajo që foli është rrenë.

“Nëse jeni këtu vetëm për pika politike mundemi të flasim tërë ditën. Vlera e pronës afër Badocit është 5.5 milionë ku ka pas të drejtë ndërtimi, por nuk u është lejuar pasi është zonë e mbrojtur, këtë po e ndërrojmë. Pse nuk ke dhënë ti ndonjë propozim?. Ajo që po thua ti është rrenë” – ia ktheu Rama.

Pas këtij deklarimi, Kelmendi i kërkoi kryetarit t’i kërkoj falje ose largohen nga seanca.

“Kryetar kadal se dalim, çfarë rrene. Është shumë e ulët prej anës tuaj të më thoni po rren, unë nuk rrej sepse nuk jam e mësuar të rrej. Shikoni dokumentet, ju kërkoj të më kërkoni falje në këto momente” – u shpreh Kelmendi.

“Të kërkoj falje që thash po rren, por ajo që thatë nuk është e vërtetë” – u shpreh më pas Rama.

Derisa, asamblisti tjetër i LVV-së, Arianit Beqiri u shpreh se seanca po mbahet për shkak të prezencës së tyre që po bëjnë kuorum. Kjo pasi partneri qeverisës PDK bojkoti seancën e sotme.

PDK në kryeqytet bojkoton seancën, i thotë LDK-së se ‘nuk janë makinë votimi’