Punësimet në Trepçë – Protestuesit vendosin tendë para ndërmarrjes

Të pakënaqur me punësimet e fundit në ndërmarrjen “Trepça”, dhjetëra qytetarë kanë vazhduar sot protestën e tyre duke ngritur tendë para kësaj ndërmarrje në Stantërg.

Kërkesa e vetme e tyre është që të punësohen edhe 154 ish-aplikantë të cilët iu nënshtruan testit në konkursin e kësaj ndërmarrje në vitin 2019, ndërsa kanë thënë se do të qëndrojnë në këtë vend deri në realizimin e kërkesës së tyre, raporton Kallxo.com.

Arsim Musa, nga Këshilli organizativ protestues, ka thënë se kërkesa e tyre e vetme është punësimi.

“Ne si protestues kemi vendosur sot nga ora 11:00 një tendë, dhe po ashtu protesta 24 orëshe. Arsye dhe qëllimi ynë përbën vetëm një pikë, punësimin për shkak se na janë bërë shumë të padrejta… Para 30 minutash na vizitoi u. d. imenaxherit, Rafet Ibishi, i cili na ka përkrahur… Ne do të vazhdojmë me protesta deri sa kërkesa jonë të realizohet… Nëse nuk zgjidhet problemi në këtë formë, do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë para qeverisë”, tha Musa.

Ndërsa Nehat Mehmeti, njëri prej kandidatëve të papranuar në konkurs, po ashtu ka thënë se nuk do t`i ndalin protestat deri në realizmin kërkesës së tyre.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë protestën, afërsisht rreth një javë dhe urojmë që kjo të përfundojë sa më shpejtë. Nëse edhe këtë herë hasim në vesh të shurdhër, atëherë do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë”, tha Mehmeti.

Në procesin e fundit të punësimit të datës 24 shtator  2019, në këtë ndërmarrje patën aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar rreth 216.