Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës reagojnë ndaj ndërprerjeve të shpeshta të rrymës

Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës janë ankuar se ditëve të fundit po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike.

Në një reagim të Komunës së Rahovecit thuhet se ndëprerja e ernergjisë po shkakton vështirësi për furnizim me ujë në disa vendbanime.

Telashe kjo Komunë po ka edhe me semaforët, të cilët nuk po funksionojnë dhe se sipas Komunës po shkaktohet kaos në komunikacion në qytet.

Komuna e Rahovecit i ka bërë thirrje KEDS-t të jetë më i përgjegjshëm në furnizim me energji elektrike.

Për problemet nga ndërprerja e energjisë elektrike para dy ditësh ka reaguar edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Kryetari i Komunës shkruante se qytetarët, bizneset dhe mërgimtarët po marrin goditje të rëndë.

Ai ka ftuar kryeministrin, KEDS-in dhe mekanizmat e tjerë që ky shqetësim të trajtohet urgjentisht.

Mes tjerash, Kastrati ka thënë se kjo qasje është diskriminim dhe poshtërim.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga KEDS rreth shqetësimeve të këtyre komunave por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.