Prokuroria fton të akuzuarin për krime lufte që të paraqitet në Gjykatë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes njoftimit për media, ka ftuar të akuzuarin për krime lufte, Çedomir Aksiç, i lindur më 10.05.1960, me vendbanim në Naupare – Krushevac, Serbi, numër personal 1005960960098, të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor të caktuar me datën 20 nëntor, ora 09:00, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Kjo ftesë është për shkak të akuzave për krime lufte, të trajtuara sipas aktakuzës për gjykim në mungesë nga Prokuroria Speciale ndaj të pandehurit Aksiç.

Prokuroria Speciale, me 4 maj 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Aksiç për krime të kryera mbi popullatën civile gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore janar-maj të vitit 1999.

I njëjti akuzohet se ka bashkëvepruar me një grup kriminal, i paidentifikuar nga Prokuroria, e pjesëtarët e të cilit kanë kryer krime lufte mbi popullatën civile, ku të njëjtit kanë qenë të organizuar, të veshur me uniforma policore, ushtarake e paramilitare.

Prokuroria kishte propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shteruar të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.

Kodi i Procedurës Penale parashikon që gjykata thërret të akuzuarin, në këtë rast, Çedomir Aksiç dhe i kërkon që të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë në Gjykatën e Prishtinës, për të siguruar prezencën e tij në këtë çështje penale, në datën dhe kohën e shënuar më lartë.

Po ashtu, sipas Kodit të Procedurës, edhe çdo person që ka ose mund të ketë informacion për vendndodhjen e të akuzuarit Çedomir Aksiç kërkohet të komunikojë atë informacion policisë, me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në këtë çështje penale.