Aktakuzë ndaj një personi për krime lufte, Prokuroria Speciale propozon gjykim në mungesë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një tjetër aktakuzë për krime të kryera mbi popullatën civile gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për këtë rast akuzohet Ç.A. dhe bëhet fjalë për periudhën kohore janar-maj të vitit 1999.

I pandehuri akuzohet se ka bashkëvepruar me një grup kriminal, i paidentifikuar nga Prokuroria, e pjesëtarët e të cilit kanë kryer krime lufte mbi popullatën civile.

Të njëjtit kanë qenë të organizuar, të veshur me uniforma policore, ushtarake e paramilitare.

“Prokuroria Speciale njofton se i akuzuar Ç.A. në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të  veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ‘’RSFJ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, dhe nenin 4 të Protokolit 2 të datës 08.06.1977, aktualisht e ndëshkueshme me neni 146 dhe 147 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës “- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shteruar të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.