Mbyllet për publikun gjykimi për krime lufte ndaj Dejan Raçiq
Gjykimi në mungesë ndaj Dejan Raçiq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullatës civile ka filluar të mërkurën – 21.02.2024, në Gjykatën e Prishtinës.
Të mërkurën më datë 12.02.2024, pasi që paraprakisht kishte dështuar të mbahej, u mbajt shqyrtimi fillestar në të cilin prezent nuk ishte i akuzuari Dejan Raçiq por prezantoi avokati sipas detyrës zyrtare, Osman Mehmeti.
Pas leximit të dispozitivit të aktakuzës, versionit të redaktuar për publikun, prokurori Special Ilir Morina propozoi që gjykimi për këtë rast të mbyllet për publikun. Propozimin e tillë nuk e kundërshtoi as avokati Mehmeti.
Këtë propozim e aprovoi gjyqtari i Departamentit Special i cili po trajton rastin, Vesel Ismaili.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Dejan Raçiq gjatë luftës në Kosovë, përmes përdorimit të dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore ka marrë pjesë në dhunimin seksual të një gruaje shqiptare.
Dosja thotë se ngjarja ka ndodhur gjatë një sulmi sistematik nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile në tërë territorin e Kosovës.
Raçiq, sipas aktakuzës, atëkohë ishte pjesëtar rezervë i forcave ushtarake serbe.
Lidhur me këto veprime Prokuroria Speciale të akuzuarin e ka ngarkuar me veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Kodi Penal i ish-Republikës Socialiste Federative Jugosllave.
Më 08.12.2024, Prokuroria Speciale përmes një konference për media kishte dhënë informata në lidhje me hetimet për krimet e luftës në Kosovë. Prokurorja Drita Hajdari kishte dekluar para gazetarëve se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës. Ajo tha se kjo Prokuroria ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht më 2018.