Gjykimi në rastin e të akuzuarit Dejan Raçiq (20.02.2024), Foto: KALLXO.com

Prokurorja jashtë vendit, dështon seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dejan Raçiq, për shkak të mungesës së prokurores së rastit.

Sipas Gjykatës, prokurorja Florije Shamolli e cila është ngarkuar me këtë rast ndodhet jashtë vendit e nga Prokuroria Speciale nuk është caktuar asnjë prokuror tjetër për të përfaqësuar në seancë.

Gjykimi ndaj të akuzuarit Raçiq do të mbahet në mungesë pasi që nuk është arritur të sigurohet prezenca e tij nga organet e drejtësisë.

Për seancën e datës 20.02.2024, në sallë ishin prezentë, Osman Mehmeti, avokati i të akuzuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare dhe mbrojtësi i viktimave, Visar Ahmetgjekaj.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Vesel Ismaili.

Aktakuza për gjykim në mungesë ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 27.11.2023 nga prokurorja Drita Hajdari, tashmë e pensionuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Dejan Raçiq gjatë luftës në Kosovë, përmes përdorimit të dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore ka marrë pjesë në dhunimin seksual të një gruaje shqiptare.

Dosja thotë se ngjarja ka ndodhur gjatë një sulmi sistematik nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile në tërë territorin e Kosovës.

Raçiq, sipas aktakuzës, atëkohë ishte pjesëtar i forcave rezervë ushtarake serbe.

Lidhur me këto veprime Prokuroria Speciale të akuzuarin e ka ngarkuar me veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Kodi Penal i ish-Republikës Socialiste Federative Jugosllave.

08.12.2024, Prokuroria Speciale përmes një konference për media kishte dhënë informata në lidhje me hetimet për krimet e luftës në Kosovë. Prokurorja Drita Hajdari kishte dekluar para gazetarëve se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës. Ajo tha se kjo Prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht me 2018.

(Shënim: Tekstit i është shtuar emri i prokurores Florije Shamolli – Koha e editimit: 09:41 – 21.02.2024)