Ministrja Rozeta Hajdari pas përfundimit të seancës 11.10.2023 Foto: Laurant Berisha

Ministrja Rozeta Hajdari pas përfundimit të seancës 11.10.2023 Foto: Laurant Berisha

Gjykimi i ministres Rozeta Hajdari për aksident trafiku, seanca pritet të jetë mbyllur për publikun

Seanca gjyqësore e radhës ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, për aksidentin e trafikut ku ishte aksidentuar një vajzë e mitur, do të vazhdojë edhe pasditen e sotme, tërësisht e mbyllur për publikun.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyra e gjyqtarit të çështjes, Shaqir Mazreku.

Për këtë rast ishte caktuar të bëhej një super-ekspertizë. Në seancën gjyqësore të datës 11 tetor, 2023 ishte edhe ekipi i ekspertëve për të dhënë versionin lidhur me këtë aksident.

Në shqyrtimin gjyqësor të datës 9 tetor 2023, avokati mbrojtës i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku, kishte kërkuar para Gjykatës që ky shqyrtim gjyqësor të mbahet i mbyllur për publikun për shkak se në aksident është e përfshirë një vajzë e mitur.

“Në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve neni 39 par.4, kemi detyrim ligjor që kjo seancë të mbahet e mbyllur’’ – kishte deklaruar avokati Bunjaku.

Gjyqtari i çështjes, Shaqir Mazreku, e kishte aprovuar propozimin e avokatit Bunjaku dhe kishte marrë aktvendim për mbylljen e seancës për median dhe publikun.

Gjykata, në një shqyrtim të mëparshëm, më 8 dhjetor 2022, kishte vendosur të caktojë një grup ekspertësh për të zhvilluar një super-ekspertizë, pasi ekspertiza e paraqitur në Gjykatë dhe ajo e prezantuar nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të pajtueshme.

Ky vendim ishte marrë pasi avokati i ministres Rozeta Hajdari, Shemdi Bunjaku, kishte propozuar që të zhvillohej një ekspertizë shtesë nga një grup ekspertësh, me qëllim që të verifikohej gjendja faktike reale e ngjarjes.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, në veçanti nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur më 10 prill 2022, në ora 12:25, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua.

Ministrja Hajdari është ngarkuar me akuza për mospërshtatje të shpejtësisë dhe për aksident në komunikacion me lëndime trupore të përfshira.

Gjykimi i ministres Rozeta Hajdari për aksident trafiku, seanca zhvillohet krejtësisht e mbyllur për publikun

Avokati i palës së aksidentuar e quan “jonormal” mosreagimin e Rozeta Hajdarit si ngasëse