Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, në takim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj - 05.10.2023, Foto: Faqja zyrtare e zyrës së BE-së në Kosovë

Ambasadori Tomas Szunyog takon Albert Zogajn e KGJK-së, flasin për sundimin e ligjit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar sot kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, me të cilin kanë diskutuar për çështjet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë takim, ambasadori Szunyog ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me trendin negativ ku anëtarët e qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave, zhvillimin e hetimeve, prokurorët dhe gjyqtarët individualë.

Szunyog ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit nga presioni politik për të siguruar ndarjen e pushteteve dhe respektimin e sistemit të kontrolleve dhe balancave, që janë themeli i një shoqërie demokratike.

Ambasadori Szunyog, gjithashtu ka vlerësuar përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së statistikave të lëndëve të zgjidhura gjyqësore, duke thënë se statistikat e besueshme janë të domosdoshme për të vlerësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe për të rritur besimin e qytetarëve në gjyqësor.

Ai ka rikujtuar deklaratën e nënshkruar të Përkushtimit të Përbashkët për reformat në drejtësi dhe ka theksuar rëndësinë e forcimit të mekanizmave për llogaridhënie, integritet, efikasitet dhe transparencë në sistemin gjyqësor.

Gjatë takimit, ambasadori Szunyog dhe kryesuesi Zogaj kanë diskutuar edhe për procesin e reformave në vazhdim dhe planifikimin e investimeve në sistemin e drejtësisë me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi. Szunyoug ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, përfshirë projektet e financuara nga BE-ja në këtë drejtim.

Ky takim thekson rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton sundimit të ligjit dhe përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe tregon angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për të ndihmuar në këto sfida të rëndësishme për zhvillimin e vendit.