Tomas Szunyog

Szunyog për vendimin për tokën rreth Manastirit të Deçanit: Ditë e mirë për sundimin e ligjit

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka quajtur ditë të mirë për sundimin e ligjit, ditën e sotme kur Qeveria e Kosovës i kërkojë Agjencisë Kadastrale që ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastrit të Deçanit.

Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, sipas Szunyogut, janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastriti të Deçanit & Regjistrimi i truallit të Manastirit më në fund bëhet realitet. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës” – ka shkruar ambasadori i BE-së, më 13.03.2024 në rrjetin social “X”

Vendimin e ka mirëpritur edhe ambasadori gjerman, Joern Rohde i cili ishte i zëshëm që vendimi i Gjykatës Kushtetutese të zbatohet.

13.03.2024 edhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

Më 13.03.2024 kryeministri Albin Kurti tha se për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës kërkohet zbatimi i Kushtetueses për pronat e manastirit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese vendimi i Gjykatës nuk u zbatuar asnjëherë.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.