Foto: Zyra e BE-së në Kosovë
Szunyog: Të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe ai për Manastirin e Deçanit
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar nevojën që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit.
Këto komente ambasadori i BE-së në Kosovë i bëri gjatë një takimi me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
Në këtë takim, Szunyog ishte i shoqëruar nga shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadori i Francës, François Cyprien.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së, gjatë takimit ambasadori Szunyog ritheksoi rëndësinë që BE i jep rolit themelor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e supremacisë së Kushtetutës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe parimeve themelore në të.
Ambasadori i BE-së në Kosovë ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimet dhe presionet politike.
“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të” – citohet të ketë thënë ambasadori Tomas Szunyog.
Më 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konfirmuar pronësinë e Manastirit mbi 24 hektarë tokë, e cila për vite të tëra është kontestuar.
Më 2019, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte thënë për REL se nuk do ta zbatojë këtë vendim edhe nëse kjo do t’i kushtojë me postin e kryetarit.
Kryetari i Deçanit, i vendosur të mos ia kthejë pronën Manastirit
Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë kanë zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.
Pakënaqësitë patën kulmuar pas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili thoshte se 24 hektarë tokë, që dy ndërmarrje shoqërore pretendonin se janë pronë e tyre, i mbesin në administrim Manastirit të Deçanit.