Sa e kanë të vështirë mediat të mos bien pre e dezinformatave?
Kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxha ka thënë se është shumë e vështirë që mediat të mos bien pre e dezinformatave.
Ai në panelin ku u diskutua rreth gjetjeve të raportit “Vorbulla e Rrenave”, shtoi se shumica e mediave kanë gazetarë të rinj.
“Nuk është faji i tyre që nuk e kanë mendimin kritik shumë të zhvilluar e kaniherë nuk është krejt faji joni që nuk kemi kondicion të kalojmë në secilën informatë që tentojnë me plasu, ky është problemi më i madh në punën ditore”- tha Hoxha.
Tutje ai shtoi se për dezinformimin nuk e kanë të gjithë fajin mediat.
“Mediat mund të jenë diku faktori i tretë më problematik, problemi i parë janë platformat e komunikimit në rrjetet sociale që nuk janë media, janë agjendë të komunikimit që duken si media, shkruajnë si media, qesin tituj, postojnë foto, qesin edhe video, kanë montazha të mira, por nuk janë media. Mediat me definicion janë biznese, organizata që monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara ose nga KPM-ja, ose diku i kap ligji. Këto janë faqe kryesisht në facebook që kanë qindra mijëra përcjellës dhe media nuk janë. Për fat të keq shkruajnë shqip por këto rrena as që prodhohen në Kosovë, por kryesisht në Maqedoni e prej atje hynë gjithçka” – ka shtuar Hoxha.
Hoxha si faktor të dytë për dezinformimin e kosovarëve e ka rënditur politikën.
“Për interesa të tyre, ose nga mungesa e dijes, bijnë viktima të disa narracioneve ose të disa rrenave që prodhohen dikah tjetër dhe reciklohen në Kosovë. Faktori i tretë janë mediat që jo krejt punojnë me standarde të larta, por një pjesë e mirë e jona disa standardeve minimale i përmbahemi dhe kur tentojmë me plasu material komercial, se është i domosdoshëm, nuk është material sensitiv politik shumë. Materiali politik, religjioz edhe i sigurisë, vjen prej platformave që nuk janë media” – deklaroi ai.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, të premtën ka prezantuar Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, “Vorbulla e rrenave”.
I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.