Rreziku nga dezinformimi rus në Kosovë
Kreshnik Gashi nga KALLXO.com njëherësh autor i raportit ‘Vorbulla e Rrenave’, tha se ndikimi i dezinformatës ruse është i madh në Kosovë.
Ai gjatë prezantimit të këtij raporti shtoi se narrativa kundër integrimit evropian dhe narrativa kundër integrimit të Kosovës në NATO, janë më të rrezikshmet.
“Raporti zbulon narrativa të rrezikshme të cilat prodhohen në Kremlin dhe synojnë audiencën tonë, ato kryesisht synojnë ta prishin vullnetin e qytetarëve në raport me EU-në dhe NATO-n, e po ashtu synojnë ta prishin tolerancën mes komuniteteve brenda vendit tonë. Ajo çka duhet me cek nga narrativat ruse është që Kosova s’duhet të jetë pjesë e NATO-s, ose NATO nuk është një mekanizëm që garanton siguri për qytetarët e Kosovës, po ashtu narrativa tjetër e cila synon me i shpallë shqiptarët si pjesë e ushtrisë në Ukrainë dhe me nis një lloj demonizimi”- tha Gashi.
Ai duke folur për raportin ka përmendur edhe narrativa të tjera ruse në Kosovë.
“Narrativa tjëtër ruse në Kosovë lidhet me marrëdhëniet ndëretnike, që synon se çdo krim apo çdo incident ndëretnik në vendin tonë, me u pa si sulm i shqiptarëve kundër serbëve dhe një tentativë që Rusia m`u shpallë si mbrojtëse e tyre. Por ato që janë më të rrezikshmet e të cilat i gjejmë të publikuara edhe në mediat në gjuhën shqipe padyshim që janë narrativat kundër integrimit evropian dhe narrativa kundër integrimeve në NATO, t`u dashtë me i portretizu këto dy institucione si diçka jo e mirë për vendet të cilat janë anëtare në këto mekanizma ndërkombëtarë”- tha tutje Gashi.
Sipas Gashit, duke iu referuar gjetjeve të raportit ‘Vorbulla e Rrenave’, synimi i kësaj propagande është që të dëmtohet reputacioni i këtyre dy organizmave.
“Ajo çka kemi gjetë është që pa asnjë redaktim është paraqitur kjo narrativë në një pjesë të madhe të media tona në gjuhën shqipe, problemi më i madh është që komunikatat të cilat i lëshon Kremlini, në mediat në Kosovë, transmetohen pa u editu dhe thjesht pa u bërë asnjë qëndrim editorial. Është shqetësuese se çdo gjë që e thotë Putin-i, transmetohet në mediat në Kosovë dhe i servohet publikut pa pas një fact chek”- tha ai.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, të premtën ka prezantuar Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, “Vorbulla e rrenave”.
I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.