Ilustrim

Rasti i ish-ministres Dhurata Hoxha – Të akuzuarit lirohen në mungesë të elementit të dashjes

Dosja e ish-ministres së Integrimit evropian, Dhurata Hoxha përfundoj me lirim nga aktakuza.

Ajo akuzohej që së bashku me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarë të ministrit, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani që sipas prokurorisë ishin përfshirë në rastin e kontratave për lobim.

Të akuzuarit u lanë të lirë me arsyetimin se në këtë rast nuk ka pas dashje.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u transmetua hulumtimi i BIRN-it për monitorimin e 10 lëndëve që konsiderohen si më të mëdhatë të korrupsionit, zyrtari ligjor në KALLXO.com, Labinot Leposhtica, tha se sipas shumë hulumtimeve, gjykatat, të akuzuarit për korrupsion i lirojnë mbi bazën e mungesës së këtij elementi të veprës penale(dashjes).

“Në këtë rast gjykata ka nxjerr një aktgjykim lirues në të cilin ka konsideruar që veprimet e të akuzuarve në këtë rast nuk përbëjnë vepër penale sepse ka munguar njëri nga elementet më të rëndësishme çka e përjashton përgjegjësinë penale të tyre, pra dashja. Konsideroj që në raste të tilla kaq serioze, organi shqyrtues duhet të investoj më shumë kohë, më shumë resurse në pasqyrimin e elementit të dashjes”, – shtoi Leposhtica.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, sipas dosjes së prokurorisë përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve