Komisioni i Pavarur per Media/KPM

A duhet të shtohet numri i anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media?

Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media, i cili është proceduar së fundmi në Kuvendin e Kosovës nga Zyra e kryeministrit, parasheh shtimin e anëtarëve të KPM-së, nga 7 në 11 sosh.

Sipas Labinot Leposhticës, koordinator i Zyrës ligjore të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuse, ky ndryshim është i panevojshëm. Sipas tij, institucioni i KPM-së ka nevojë për shtimin e punonjësve në administratë e jo në numër të anëtarëve.

“Ky projektligj e ka paraparë një ndryshim tërsisht të pavend, rritjen e anëtarëve të Komisionit të Pvarur për Media nga 7 në 11, anëtarët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës dhe kjo zgjedhje vjen pas një lobimi që ata e bëjnë tek deputetet. Brenga është se si ta fuqizojmë KPM-në që ta ushtroj rolin që ia jep Kushtetuta e Kosovës” – ka thënë Leposhtica në KallxoPernime.

“Ne e kemi pa që persona të afërt me subjektet politike, ne kemi raportu në vazhdimsi, që gjithmonë përfundojnë në Komision, kjo është e faktuar në të gjitha pushtetet” – tha ai.

Por, ndryshe mendon Valon Ramadani, kryesues i Komisionit Parlamentar për Media në Kuvendin e Kosovës.

“Me te thënë drejt, jam shumë i kënaqur që po ndodh nga 7 në 11 anëtarë. Anëtarët duhet të jenë me profile të ndryshime, duhet të jetë një jurist, një inxhinier, pse mos me pas një gazetar brenda KPM-së. Nuk janë shumë 11 anëtarë kur e rregullojnë një çështje shumë me rëndësi” – ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ndryshimi sipas Propozim-Ligjit është bërë në kuadër të Direktivës Evropiane 2010/13/EU për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele dhe Direktivën (EU) 2018/1808.

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Më shumë në lidhje me këto ndryshime mund të lexoni KËTU.