Koordinatori i Zyrës ligjore të BIRN, Labinot Leposhtica, Foto: KALLXO.com

Leposhtica: ZKM do të duhej të kishte fushatë informuese për projektligjin për KPM-në, reagimi i AGK-së dhe KMSHK-së i vonuar

Koordinatori i zyrës ligjore të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtese (BIRN Kosova), Labinot Leposhtica, ka thënë se reagimi i Asociaconit të Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) është i vonuar.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të organizonte një fushatë përmes së cilës do të informohej komuniteti i gazetarëve mbi ndryshimet që pritet të ndodhin përmes këtij projektligji.

“Konsideroj që reagimi i AGK-së, KMSHK-së dhe pjesëtares së shoqërisë civile është pak i vonuar në kuptimin që ky projektligj është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe ka shkuar në Kuvend është proceduar gati që një muaj dhe nuk kemi pasur një reagim” – tha Leposhtica.

“Kjo tregon mosgadishmërinë e iniciuesit të projektligjit, Zyrës së Kryeminsitrit që me pas një proces sa më gjithëpërfshirës. Këtu edhe nëse refuzojnë mediat dhe organizatat me qenë pjesë, ZKM do të duhej me pas një fushatë sa më informuese që po ndodh ky proces” – deklaroi ai.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ndryshimi sipas Propozim-Ligjit është bërë në kuadër të Direktivës Evropiane 2010/13/EU për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele dhe Direktivën (EU) 2018/1808.

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Më 1 shkurt, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media mbi ndryshimet e propozuara për Ligjin e ri të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara i ka quajtur propozimet e qeverisë për ligjin e ri të KPM-së si përpjekje për të vënë nën kontroll mediat online.

Edhe kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i ka quajtur këto propozime përpjekje të qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Rexha tha se kjo është sulm ndaj lirisë së mediave.

Më shumë në lidhje me këto ndryshime mund të lexoni KËTU.