Përparim Rama: Trafiku në Prishtinë është më mirë sesa përpara

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjendja me trafik në kryeqytet është më mirë tash seç ka qenë përpara.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se nga matjet që kanë bërë në Prishtinë, brenda ditës hyjnë 180 mijë makina nga 130 mijë sa ishin para shumë vitesh.

“Trafiku tash është më mirë seç ka qenë më përpara. Sot i kemi simulimet, i kemi bërë testet, i kemi matjet që 180 mijë makina në ditë hyjnë në Prishtinë nga 130 mijë sa kanë qënë para shumë vitesh” – deklaroi Rama.

Sipas tij, gjendja është problematike kur qyetarët shkojnë në punë dhe fëmijët në shkollë dhe kur kthehen.

Ai madje përmendi edhe rregulloren që kanë bërë për furnitorët në mënyrë që të mos ketë shumë trafik në mëngjes dhe pasdite.

“Ne u kemi thënë bizneseve që furnizimi të bëhet në orë të caktuara, nga ora 7:00 deri në 10:00 në mëngjes nuk u lejohet dhe po ashtu as nga ora 15:00 deri 18:00 në mbrëmje”- shtoi më tej Rama.

Me mbylljen e rrugës në qendër, tashmë sheshi ‘Xhorxh Bush’, qytetarët e kryeqytetit në vazhdimësi po përballen me kolona e pritje të gjata, madje telashe kanë edhe në vonesat e autobusëve të Trafikut Urban.

Komunës në vazhdimësi i është kërkuar që të lirojë rrugën për qarkullim të autobusëve dhe taksive deri sa të krijohen mundësi për rrugë alternative.

Përparim Rama ka në plan që sheshin ‘Xhorxh Bush’ ta zgjasë deri të Posta e Madhe, e gradualisht deri te “Rrethi i flamurit”.