Musmurati: Përparim Rama kërkoi që të dilnim në konferencë për digjitalizim, por s’kemi pranuar

Ish-drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Besianë Musmurati e cila është në pushim të lehonisë dhe funksionon e saj po e mbulonte tashmë ish nënkryetarja Donjeta Sahatçiu e cila u shkarkua me arsyetimin për mossukses në digjitalizim, pretendon se i pari i kreyeqytetit Përparim Rama ka folur shumë të pavërteta për këtë proces.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ e quajti qesharake ristrukturimin në kabinet të bërë nga i pari i Prishtinës duke theksuar se askush nga LDK nuk u shkarkua.

“Mbrëmë u thanë shumë të pavërteta, sipas tij, zanafilla e prishjes së koalicionit ishte se 3 muaj PDK nuk shkoi në seancë, kjo është e pavërtetë, hera e parë që nuk kemi shkuar në seancë ka qenë më 21 dhjetor, më pas më 28 dhjetor dhe hera e tretë 31 janari ku nuk ka qenë as LDK”- deklaroi Musmurati.

Ajo madje iu kundërpërgjigj kryetarit që deklaroi se PDK e sabotoi procesin e digjitalizmit në arsim duke potencuar se kryetari u mundua të shtyhej me nivelin qendror pa pritur lejen e duhur nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

“Procesi i digjitalizimit në Kosovë nënkupton të bëhet një aplikacion dhe një uebfaqe, nuk është fare i tillë, ka shumë projekte të digjitalizimit që dështojnë në Kosovë për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë dhe planifikimit të duhur të hapave që kërkohen. Ajo kërkesa në ASHI ka qenë formale, është shumë më kompleks si proces” – shtoi ajo.

“Ne kemi kryer temat e referencës për të publikuar një softuer të ri, të cilin e ka nënshkruar Përparim Rama, e në të cilin ka marrë pjesë UNICEF, departamenti i Psikologjisë në UP, MASHT, shoqata e IT-së Steek”- tha më tej Musmurati.

Sipas saj, kërkesa e Përparim Ramës për herë të parë ka qenë në shtator 2023.

“Kishte kërkesë që ne të dalim para ministres Nagavci se tash ne e digjitalizuam dhe tash Kosova nuk ka probleme me libra, nuk kemi dashur të bëjmë diçka për inati” – tha ajo.

“Ne në tetor kemi aplikuar në ASHI pasi është më rëndësi siguria e të dhënave personale të nxënësve dhe të mos respektohet ai institucion nuk është në rregull, ne kemi qenë në pritje të lejes nga ASHI-ja”- bëri të ditur Musmurati.

Ajo më tej potencoi se buxheti i ndarë ka qenë 460 mijë euro për një vit, derisa në total ka pas me qenë rreth 800 mijë euro.

Më 09.02.2024, kryetari Përparim Rama në emisionin Kallxo Përnime lidhur me shkarkimin e ish-nënkryetares Donjeta Sahatçiu tha se e kishte sabotuar planin e Komunës për digjitalizim gjë që, sipas tij, ajo e kishte pasur qëllim kryesor.

“Në shtator kur ishte problemi i shpërndarjes së librave me Ministrinë e Arsimit e kam ftuar drejtoreshën, Besianën, dhe nënkryetaren që ka qenë e dedikuar për digjitalizim dhe u kam kërkuar ta shtyjnë procesin përpara që mos të humb koha. U pajtuam që të shtyhet ky proces për digjitalizim dhe në dhjetor i thash prapë nënkryetares, por më tha se është kundër sepse Agjencia e Shoqerisë së Informacionit nuk e lejon”- deklaroi Rama.

Në vend të Sahatçiut, pozitën e nënkryetares së Prishtinës e ka marr Jehona Lushaku.

Zyrtarja e LDK-së që zuri vendin e Donjeta Sahatçiut të PDK-së, si numri dy në kryeqytet