Jehona Lushaku - Sadriu

Zyrtarja e LDK-së që zuri vendin e Donjeta Sahatçiut të PDK-së, si numri dy në kryeqytet

Dy pozitat që Donjeta Sahatçiu po i mbante në Komunën e Prishtinës deri të hënën, si nënkryetare e kryeqytetit dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Arsimit, tashmë i janë besuar zyrtares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku – Sadriu.

5 shkurt 2024, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se gjatë udhëheqjes së Donjeta Sahatçiut, ka pasur ngecje në fushën e digjitalizimit.

“Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit” – ka shkruar kryetari Rama.

Pas këtij vendimi, Sahatçiu nuk ka qendroi indiferente por reagoi duke thënë se një copëz e misionit u arrit pasi, sipas saj, “nga një grua e parë si nënkryetare në historinë e Prishtinës, “nesër vjen një tjetër grua nënkryetare”, duke iu referuar emërimit të Jehona Lushaku-Sadriut si ushtruese e detyrës së nënkryetares.

Sahatçiu shtoi se misioni vazhdon, teksa u shpreh se “Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”.

Por kush është Jehona Lushaku?

Kohëve të fundit, kryetari Përparim Rama ka bërë ndryshime brenda kabinetit të tij, duke ia ndryshuar vendin zyrtarëve të LDK-së.

Lushaku – Sadriu ndryshe prej emrave të tjerë, nuk ka mbajtur pozitë në kabinetin e kryetarit të Prishtinës.

Ajo njihet si analiste politike duke qenë shpesh pjesë e debateve nëpër televizionet kosovare.

Lidhjes Demokratike të Kosovës  iu bashkua më 22 dhjetor 2021.

Aktualisht është edhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK.

Lushaku- Sadriu është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencave Politike.

Ka qenë edhe koordinatore nacionale e Erasmus+ në Kosovë nga viti 2018 – 2021.

Shkas i përplasjeve mes partnerëve qeverisës në komunën e Prishtinës pretendohet të jetë këmbimi i pronave komunale në Badovc dhe lagjen Prishtina e Re.

Në PDK janë zotuar se do ta ndalin këtë shkëmbim pronash.