Musiqi: Ka indikacione se do të ketë aplikim të reduktimeve të rrymës gjatë dimrit

Qeveria e Kosovës kishte ndarë mbi 100 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike me synim për të ulur ndikimin e rritjes së tarifave te konsumatorët.

Sabri Musiqi, u.d. i drejtorit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka folur për vlerën e subvencionit që duhet të planifikojë Qeveria e Kosovës për tre muaj gjatë dimrit.

Musiqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ndonëse nuk i ka shifrat ekzakte lidhur me ketë çështje, ka thënë se mund të jetë qindra miliona.

“100 milionë vitin e shkuar kanë qenë të vlerësuara që duhet subvencioni, por kanë qenë çmimet shumë më të ulëta se sivjet, domethënë sivjet i kemi së paku dyfish më të larta, kështu që sigurisht e tejkalon 200 milionëshin” – ka thënë ai teksa ka shtuar se ky është vlerësim pa ndonjë analizë.

Musiqi tutje ka thënë se ka indikacione reale që dimrit do të ketë aplikime të reduktimeve të rrymës.

“Ekzistojnë indikacione reale se do të ketë një rrethanë që do të imponojë aplikimin e reduktimeve. Qytetarët që kanë filluar të akceptojnë një masë kufizuese duhet të jenë të përgatitur” – ka shtuar ai.