Gashi për njërin nga serbët e arrestuar: Ka qenë pjesë e forcave serbe në betejën e Koshares

Redaktori i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, ka folur për të kaluarën e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës. Për njërin theksoi se ka qenë pjesë e forcave serbe në betejën e Koshares.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se personat që u arrestuan mbrëmë duke hyrë në Kosovë kishin me vete armë e mjete të ndryshme.

“Mbrëmë janë arrestuar dy persona duke hyrë në Kosovë tek të cilët u gjetën armë, e mjete tjera të shumta. Është me rëndësi të gjurmohet e kaluara e këtyre personave, këta njerëz nuk janë qytetarë të Kosovës, jetojnë në Beograd që në të kaluarën kanë pasur pozitë në ushtrinë e Jugosllavisë, pra në kohën e Koshares kanë punuar në njërën prej njësive”-  tha ai.

Sipas tij, njëri prej tyre ka medalje për besnikëri nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq.

Gashi theksoi se Policia po gjurmon se përse këta persona tentuan të hyjnë në Kosovë.

“Gjurmimi që kemi bërë në rrjete sociale tregon se këta persona përkrahin grupe radikale serbe të cilat synojnë të promovojnë dhunën. Policia po e gjurmon arsyen pse këta njerëz tentuan të hyjnë në Kosovë”- shtoi tutje Gashi.