Gashi: Lajmet e rreme që prekin sigurinë e vendit - problemi kryesor

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka renditur dezinformatë e ditëve të fundit në media të ndryshme.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth kësaj teme, tha se problemi kryesor janë lajmet e rreme që e prekin sigurinë e vendit.

“Kemi pasë informata të rreme që KFOR-i ua ka ndalu ministrave të Kosovës edhe disa njerëzve që punojnë në institucione të Kosovës, me vizitu veriun, që ka qenë dezinformatë. Kemi pasë po ashtu një mal me lajme të pakonfirmuara për atë se ka pasë një plan për ta vrarë kryeministrin gjatë vizitës në Maqedoni të Veriut, pastaj kemi pasë lajme të rrejshme të cilat tentojnë me kriju lajme të pavërteta që Kosova është duke ble armë etj. Kemi pasë lajme që FSK-ja ka ble aeroplanë “F14”, të cilët janë shpërndarë në internet, etj. Kemi pasë lajme në shëndetësi që tentojnë me na shitë produkte e medikamente të ndryshme. Kemi edhe lajme të rrejshme që lidhen me aktualitetin politik, por problemi kryesor për neve që vazhdojjmë me i pasë janë këto lajmet që e prekin sigurinë e vendit” – thotë Gashi.

Ai tutje ka shtuar se është shqetësuese fakti që dikush guxon të falsifikojë një lajm të KFOR-it.

“Gjoja që ministrave të Kosovës u është ndalu shkuarja në veri e kjo gjithë e ka një bisht dhe një qëllim të caktuar, për t’i ngritur tensionet ndëretnike në vendin tonë, e normalisht qytetarëve tonë me u kriju pasiguri” – shtoi tutje Gashi.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, muaj më parë ka publikuar raportin për dezinformatat “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, raporti ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka te qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë “Vorbulla e rrenave”.