VIDEO - Dështimi në Prekaz - Rrëfimi i inxhinierit për kullat e Jasharëve

Lahudin Myrtaj është inxhinieri që në vitin 2,000 ishte angazhuar nga shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj, që të bënte konservimin emergjent të shtëpive të Jasharëve në Prekaz, të cilat u shkatërruan nga forcat serbe në sulmin e marsit të vitit 1998.

Sot 24 vjet pas, Myrtaj ka folur për herë të parë në KALLXO.com, për vendosjen e skeleve në shtëpitë e Jasharëve.

Skelet që janë të vendosura, kanë qenë të menduara për emergjencë, pra që të ndalojnë dëmtimin e këtyre shtëpive.

Edhe platformat e drurit po ashtu kanë qenë të vendosura për emergjencë, sa për t’i mundësuar vizitorëve të ecin skaj shtëpive.

Myrtaj ka thënë se s’ka besuar që edhe pas 24 vjetëve, askush s’ka intervenuar që të bëhet një konservim profesional të këtij Memoriali.

Ai ka shtuar se nuk ka dhënë garanci që këto skele do të qëndrojnë mbi 24 vjet.

“Këto shtëpi duheshin të ruheshin si nga faktori njeri, si nga faktori kohë. Prej meje si inxhinier i ndërtimit kanë kërkuar që ta udhëhiqi këtë konservim, këtë mbulim të këtyre objekteve me këto materiale të asaj kohe. Pothuajse afër 60 ditëve kemi punuar pa ndërprerë. Nuk kam besuar që 24 vjet ky kompleks do të mbetet në këtë formë”, – tha Myrtaj.

Ai shtoi se në atë kohë, ndonëse u kanë munguar mjetet e punës, vullneti ka qenë për ta konservuar këtë kompleks.

“Na kanë munguar mjetet, kemi punuar me mjete të thjeshta krejt me dorë i kemi punu, por vullneti i atyre punëtorëve të cilët as nuk i kam njohur, kemi punu tërë ditën edhe në atë të ftohtë, deri më 3 mars është bo ky konservim”, – tha Myrtaj.

Ai ka rrëfyer edhe për idenë që kullës t’i vendosen disa platforma (dërrasa) nga jashtë në mënyrë që vizitorët të mos hynë brenda.

“Kur kanë hyrë vizitorët brenda, edhe kanë dëmtu nga pak, kanë marrë ndonjë relikt, se pas lufte ka pasur gjithçka edhe është menduar që të mbrohet edhe mos të hyjnë njerëzit brenda, por me hy vetëm tek këto platforma. Tri platforma janë dhe e kam përdor metodën e merimangës”, – tha Myrtaj.

Por Myrtaj ka shtuar se sot nuk do guxonte që ta bënte punën që e ka bërë para 24 vjetëve në kompleksin Adem Jashari.

“Po nga ajo kohë është në këtë gjendje, unë s’pajtohem me këtë, por ja. S’pajtohem që të mbesin këto skele e këto punime 24 vjet. Unë kam menduar që ky konservim do të mbetet për 2-3 vite, vetëm jo më shumë, bile edhe ajo më është dukur shumë, mbi dy vite s’kisha leju këtu. Këto skele as nuk duken të bukura për sy, janë të vrazhda, ka lloj-lloj vizitorësh. Nuk kisha besu që edhe druri që është përdorur për platformë do të qëndronte kaq gjatë sepse nuk është aq kualitet”, – thotë Myrtaj.

“Është dashtë nga mëngjesi deri në darkë me punu, ka qenë një i ftohtë shumë i madh, edhe punëtorët nuk i njihsha edhe çdo gjë këtu me një farë forme u punu punë dore”, – tha tutje Myrtaj.

“Mendoj që këtu ka diçka që e mbron gjithçkafin, se s’kisha besu 24 vjet, këto skele me nejt po i man dikush”, – u shpreh ai.

Pse edhe pas 24 vjetëve nuk u konservuan kullat e familjes Jashari në Prekaz?

Në mars të vitit 2019 ishte themeluar komiteti ndërministror për realizimin e projektit për konservimin e kompleksit, ‘Adem Jashari’, pas miratimit të Ligjit për këtë kompleks, në fund të 2018-s.

Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diskutua rreth kësaj teme, tha se ka ekzistuar një frikë tek të gjithë akterët se mos po bëhet ndonjë projekt, ‘shkel e shko’.

“A me vazhdu me at projekt që ka qenë apo me prit derisa kompania e cila e merr menaxhimin e projektit, ta bëj një të ri. Fatkeqësisht ra ajo qeveri, erdhi qeveria tjetër, që u deshën procedurat prapë prej fillimi, por edhe kjo tjetra qeveri s’mundi të bëj asgjë konkrete. Kjo qeveria tjetër, Kurti, morën vendime konkrete u caktuan ekspertët për ta bërë detyrën projektuese, u caktu komisioni i ekspertëve”, – tha Zogaj

Zogaj ka shpjeguar se pas kësaj, filluan procedurat tenderuese për master-planin, që sipas projektit, kompleksi Adem Jashari, ndahet në 3 zona.

“Janë 450 hektar si pjesë e kompleksit, zona e parë janë varrezat, kullat, muzeu ku ka me qenë deri te bunkeri, pjesa tjetër peizazh dhe pjesa tjetër, fabrika e municionit. Në bazë të detyrës projektuese, do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, ndërsa nëse kërkojmë fajtorin, është e vërtet se të gjitha nga pak jemi fajtor”, – tha tutje Zogaj.

‘Është marre në vendin ku ka vdekur Adem Jashari, me pas qasje shpezët’

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka ironizuar me faktin që edhe pas 24 vjetëve, nuk u punua në kompleksin ‘Adem Jashari’, në Prekaz.

Ai ka thënë se që nga viti 2004, personat përgjegjës nuk kanë mundur të marrin vendime për Kompleksin ‘Adem Jashari’.

“Duket se keni qenë duke ndërtuar një bazë raketore, kjo kallxon që njerëzit kanë qenë të paaftë profesionalisht me ideu se qysh ka mu dok krejt kjo punë, kjo kallxon se qysh këta njerëz nuk kanë arritë për ta mbrojtur kompleksin e Jasharëve. Këta njerëz kanë mbajtur takime, por s’kanë pasur kompetencë profesionale me vendos qysh ka mu dok kjo punë”, – tha Gashi.

Ai shtoi se dikush duhet të marr përgjegjësi për dëmet që i janë bërë Kompleksit.

“Askush s’po guxon profesionalisht me u marrë me këtë punë dhe me ja qitë pikën se qysh ka me u dok ky Kompleks. E kurrkush s’po guxon me marrë përgjegjësi për faktin që kompleksi është në rrezik” – tha tutje ai.

Sipas raporteve, ky kompleks është i rrezikuar nga faktorë të jashtëm, thotë Gashi.

“Një frymë një termet i vogël mund ta rrezikoj, e deri tek faktorët e tjetër p.sh, vizitorët kanë hala qasje me prek dhe mund ta dëmtojnë, shpezët kanë qasje dhe mund ta dëmtojnë kompleksin, pra e kemi lanë në mëshirë të fatit njërën nga vlerat e tona e trashëgimisë ma të madhe të luftës së fundit”, – tha Gashi, duke shtuar se duhet të kërkohet llogari nga këta njerëz që këtë kompleks e kanë lënë në gjendje të tillë.

“Komitetit, ministrave, duhet me ju ardhë marre me shku te kompleksi, duhet me ju ardhë marre nëse nesër ndodh ndonjë fatkeqësi edhe na rrëzohet kompleksi ma e keqja është që mund të lëndohet dikush. Është marre në vendin ku ka vdekur Adem Jashari, me mujtë sorrat me pas qasje. Këta njerëz duhet me marrë përgjegjësi, ky shtet duhet me marrë përgjegjësi, sepse thjeshtë s’mund ta nderojmë Adem Jasharin vetëm me këngë”, – tha tutje kryeredaktori i Kallxo.com

“Nuk është shkencë raketore konservimi i një shtëpie 3 katëshe, e cila del që nuk është shumë e dëmtuar sepse është shtëpi e betonit, nuk jemi duke konservuar objekte të vitit 1,700 të perandorisë austro-hungareze, as objekte të Romës e as Ulpianën, jemi t’u e konservu një shpi që ka shtylla betoni, armaturë brenda dhe nuk është vështirë në aspektin teknik. Për atë duhet të bëjmë një debat publik për poshtërimin që ia kemi bërë kullave të Jasharëve në këto vite”, – tha Gashi

“Kosovës për 25 vite i ka humb vizioni për t’i ruajtur kujtimet për luftën”

Salih Shoshi nga Fondacioni, ‘Trashëgimia Pakufi’, ka thënë se Kosovës për 25 vite i ka humbur vizioni për t’i ruajtur kujtimet për luftën.

Ai ka shtuar se kujtimet për luftën as nuk duhet, e as nuk përbëhen nga kullat e varrezat.

“Ne sot çka shohim janë kullat, varrezat, disa lapidarë të betonit me emra, janë disa fotografi, edhe janë disa ndërtesa në formë të kullave që janë të pakompletuara, p.sh. nëse shkojmë në fshatin Mejë, e shohim një ndërtesë që u tentu m’u bo muze, por që nuk është kompletuar kurrë. Ne nuk dimë me tregu për historinë e Kosovës, na mungon vizioni, nuk ka kërkund shpjegim”, – tha Shoshi.

Ai shtoi se në të gjitha masakrat është dashur që të mblidhen informacione dhe të kurohen pastaj me shumë kujdes.

“Me pas një lloj empatie me viktimat, me ditë backgroundin e tyre, me ditë jetën e tyre aktit tragjik, me i ditë andrrat e fëmijëve që janë vra në këto masakra, me i ditë aktet e përfundimit tragjik, pra është një proces që duhet me u rrëfy edhe vizitori me kriju atë lidhjen emocionale me ngjarjen, por edhe lidhjen intelektuale”, – tha Shoshi tutje.

Ndërsa kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi thotë se për shkak të neglizhencës, një mori e shenjave të luftës tashmë janë zhdukur.

“Këta njerëz që kanë udhëhequr me qeverinë, me kuvendin, e ministritë, janë përgjegjës për këtë zhdukje të trashëgimisë së luftës në Kosovë. Kemi zhdukur shtëpi, në të cilat janë kry masakrat. Të gjitha shenjat e luftës janë zhdukur, ka pas tendencë m’u zhdukë provat e luftës në Kosovë. Në secilin fshat ka pasë masakra, ka pasë shenja të luftës, por janë zhdukur, s’ka ma. Kemi zhdukë trashëgimi që s’kemi me mujtë me i kthy. Ka pas tendencë totale shoqërore me u renovu gjithçka që kemi pasë”, – tha Gashi.

Salih Shoshi nga Fondacioni, ‘Trashëgimia Pakufi’, përsëri e ngriti çështjen e mos tregimit të ngjarjes, duke ju referuar bustit të Zahir Pajazitit.

“Cili është relacioni që ti e bën me bustin e Zahir Pajazitit, përpos që e sheh një person me kallashnikov, cila është storja? Kush ka qenë Zahir Pajaziti? Qysh me msu at storje për të, kështu që ti e ki një interaksion, një person me kallash, në qendër të Prishtinës, aty përfundon storja”, – tha Shoshi.

Çka ndodhi me tenderin për kompleksin e Jasharëve në Prekaz?

Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë “Insi”, SH.P.K ka iniciuar padi kundër Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit për tenderin: “Zhvillimi i master-planit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’.

Instituti që ka kryesuar njërin nga konsorciumet konkurruese pretendon se në këtë aktivitet ka pasur shkelje të Ligjit të prokurimit dhe ndërhyrje nga palët e treta.

Avokati i kësaj kompanie, Qëndrim Arifi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se këto dy institucione i kanë dërguar në Gjykatën Komerciale.

“Rasti është ende në proces, së bashku me padi ne kemi bërë kërkesë edhe për shtyrje ekzekutimit të vendimit, shkalla e parë e ka refuzuar shtyrjen pa e argumentuar fare pse po e refuzon. Ne, pas kësaj në dhomat e shkallës së dytë kemi bërë ankesë për shkak se kemi vlerësuar që nuk është trajtuar drejtë, madje pretendimet e tona fare s’janë trajtuar më vonë, kjo kompani ka kuptuar që këtë dështim, Qeveria po mundohet t’ia veshë Institutit të shkencës dhe teknologjisë “Insi”, pas kësaj ne kemi dorëzuar parashtresë ku kemi hequr dorë nga kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”, – thotë Arifi

Ai ka shtuar se drejtori i “INSI”, nuk ka dashur që të duket që kjo kompani ka faj që nuk po fillojnë punët në këtë kompleks.

“S’po do m’u dok vrimë e zezë dhe pistë gjuajtje, që ky është fajtori që po pengohet ky projekt, pra ky është ka e ndjek ministrinë për dëmin që ju ka shkaktu dhe OSHP-së, por është tërhequr vetëm prej kërkesës së masës pezulluese të këtij projekti”, – tha tutje Arifi.