Ngriten shqetësime se Projektligji për KPM-në lejon partitë politike dhe bashkësitë fetare të hapin televizione

Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, më 25.03.2024 është mbajtur një dëgjim publik në lidhje me këtë projektligj, në të cilin diskutim aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të tjerë të interesuar kanë pasur mundësinë që të adresojnë komente sa i përket këtij ligji.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë se shqetësimi kryesor i saj është se ky projektligj lejon që edhe partitë politike e bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio.

“Deri më tani partitë politike, ose të zëmë Bashkësia Islame e Kosovës apo organizatat e tjera fetare nuk e kanë pasur të drejtën që të hapin televizion apo radio, pra që të aplikojnë për licencë për radio apo televizion. Projektligji e ka hek atë pjesën ku ua ndalon hapjen e televizioneve dhe u lejon që të hapin. Një gjë e tillë nënkupton që në një afat shumë të shkurtë ne do të kemi një popullim të skenës mediale me TVV, TVPDK, TVLDK dhe të cilat mund të investojnë para shumë të mëdha dhe pastaj t’i mundin televizionet private të cilat ofrojnë materiale për publikun” – ka thënë Kusari.

Një shqetësim tjetër, sipas Kusarit, është edhe përbërja e anëtarëve të KPM-së.

Ajo ka thënë se ligji aktual e detyron që të ketë së paku dy gra në KPM, ndërsa projektligji aktual e ka hequr këtë detyrim.

“Pastaj rritja e numrit të anëtarëve nga 7 në 11 e lehtëson kapjen politike të KPM-së, jo vetëm nga një parti politike, por nga cilado parti politike që vjen do të mund të ketë ndikim, për rreth 10 vite kur të kalkulohet në fund se si funksionojnë mandatet” – ka thënë Kusari.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se kjo organizatë vazhdon ta kundërshtojë idenë që mediat online që prodhojnë video të regjistrohen në KPM.

Ai ka thënë se një vendim i tillë nuk duhet të shkojë më tutje.

“Vazhdojmë që të besojmë se është një vendim që nuk duhet të shkojë tutje, duhet të shtyhet për një sërë arsyesh, duke përfshirë edhe kapacitetin e KPM-së për t’i kontrolluar dhe monitorurar mediat online. Dëgjimet që i kemi parë javëve të kaluara për KPM-në, ka dëshmuar që kur ka mësymje politike në vendimmarrjen e KPM-së ndikimi mund të jetë shumë i madh” – tha ndër të tjera Rexha.

Kurse Kreshnik Gashi si përfaqësues i organizatave Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova dhe Internews Kosova, i ka pasur dy propozime në lidhje me këtë projektligj.

Propozimi i parë i tij është që KPM-ja të mbajë regjistrimin e mediave online që prodhojnë video, por që të ketë një filtër nga ana e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, sa i përket shkeljes së etikes.

“Kemi propozuar që në fillim të kemi një model ose dy që ankesa për shkelje të Kodit të Etikës të mediave online të cilat publikojnë video, fillimisht me u dorëzu te KMSHK-ja. Ose modeli tjetër ato me u dorëzu në KPM, mirëpo para vendimmarrjes, KPM-ja me pasë obligim që me marrë një mendim prej KMSHK-së” – tha Gashi.

Propozimi tjetër që të përfshihet në Ligjin për KPM-në, ka qenë që të bëhet deklarimi financiar i mediave.

Gashi ka thënë se duhet të bëhet ndryshim edhe në Ligjin për financa, që bizneset që kanë media të deklarojnë fitimet e tyre.

“Ne kemi propozuar që ky ligj që është ligj special, të ndryshojë bazën e ligjit të financave dhe ta obligojë Ministrinë e Financave që për bizneset të cilat janë të regjistraura si media me i bë transparente financat e tyre” – ka thënë ai.

Pas diskutimeve rreth dy-orëshe, kryesuesi i Komisionit, deputeti nga LVV-ja, Valon Ramadani tha se deri të premten me 29.03.2024 palët e interesuara kanë afat që të dërgojnë komente në lidhje me këtë projektligj.

Me 07.03.2024, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili ka ngjallur debat nga ana e aktivistëve dhe gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Edhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare dhe rajonale i janë bashkuar kërkesës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës drejtuar Qeverisë së Kosovës që ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi.

Ndërkohë, edhe Qendra Europiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF) përmes një komunikate i ka bërë thirrje urgjente Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta rishikojë këtë Projektligj.

Sipas kësaj qendre, mungesa e transparencës gjatë hartimit të këtij projektligji ngre shqetësime, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi kishte thënë se ky projektligj është në harmoni të plotë me direktivën e Bashkimit Europian për Mediat.

Sipas tij, ligji siguron mjedis konkurrues dhe kushte të barabarta për secilin shërbyes të produkteve mediale.

Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa pasur nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Organizatat ndërkombëtare me thirrje urgjente për Qeverinë të rishqyrtojë ligjin e propozuar për KPM-në