Kritikat për gjendjen në Prekaz, Kreshnik Gashi: Nuk është shkencë raketore konservimi i një shtëpie tri katëshe

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka kritikuar institucionet e Kosovës për gjendjen e kullave të familjes heroike të Adem Jasharit në Prekaz, të cilat ndonëse kanë kaluar 24 vjet, ende nuk janë konservuar dhe rrezikojnë rrënimin.

Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se që nga viti 2004, personat përgjegjës nuk kanë mundur të marrin vendime për kompleksin ‘Adem Jashari’.

“Duket se keni qenë duke ndërtuar një bazë raketore, kjo kallxon që njerëzit kanë qenë të paaftë profesionalisht me ideu se qysh ka mu dok krejt kjo punë, kjo kallxon se qysh këta njerëz nuk kanë mbrri për ta mbrojtur kompleksin e Jasharëve. Këta njerëz kanë mbajt takime por s’kanë pasur kompetencë profesionale me vendos qysh ka mu dok kjo punë” – tha Gashi.

Ai shtoi se dikush duhet të marr përgjegjësi për dëmet që i janë bërë kompleksit.

“Askush s’po guxon profesionalisht me u marrë me këtë punë dhe me ja qitë pikën se qysh ka me u dok ky kompleks. E kurrkush s’po guxon me marr përgjegjësi për faktin që kompleksi është në rrezik”, tha tutje ai.

Sipas raporteve, ky kompleks është i rrezikuar nga faktorë të jashtëm.

“Një frymë një termet i vogël mund ta rrezikojë, e deri tek faktorët e tjetër psh vizitorët kanë hala qasje me prek dhe mund ta dëmtojnë, shpezët kanë qasje dhe mund ta dëmtojnë kompleksin, pra e kemi lanë në mëshirë të fatit njërën nga vlerat e tona e trashëgimisë ma t’madhe të luftës së fundit”, – tha Gashi, duke shtuar se duhet të kërkohet llogari nga këta njerëz që këtë kompleks e kanë lënë në gjendje të tillë.

“Komitetit, ministrave, duhet me ju ardhë marre me shku te kompleksi, duhet me ju ardhë marre nëse nesër ndodh ndonjë fatkeqçsi edhe na rrëzohet kompleksi ma e keqja është që mund të lëndohet dikush. Është marre në vendin ku ka vdekë Adem Jashari me mujt sorrat me pas qasje edhe këta njerëz duhet me marrë përgjegjësi, ky shtet duhet me marr përgjegjësi sepse thjeshtë s’mund ta nderojmë Adem Jasharin vetëm me këngë”, – tha tutje redaktori menaxhues në KALLXO.com, Kreshnik Gashi.

“Nuk është shkencë raketore konservimi i një shtëpie tri katëshe, e cila del që nuk është shumë e dëmtuar sepse është shtëpi e betonit, nuk jemi duke konservu objekte të vitit 1700 të perandorisë austro-hungareze as onjekte të Romës e as Ulpianën, jena tu e konservu një shpi që ka shtylla betoni, armaturë brenda dhe nuk është vshtirë në aspektin teknik. Për atë duhet të bëjmë një debat publik për poshtrimin që ia kemi ba kullave të Jasharëve në këto vite”, – tha Gashi.

Lahudin Myrtaj me profesion inxhinier, në vitin 2000 është angazhuar nga shtabi i UÇK-së në Prekaz për të bërë një konservim emergjent të shtëpive të Jasharëve, të cilat u shkatërruan nga forcat serbe në sulmin e marsit të vitit 1998.

Sot 24 vjet pas, Myrtaj ka folur për herë të parë në emisionin “Kallxo Përnime” për ndërtimin e skelave.

Myrtaj ka thënë se s’ka besuar që edhe pas 24 vjetëve, askush s’ka intervenuar që të bëhet një konservim profesional i këtij Memoriali.