Çka e pret Kuvendin e Kosovës këtë sesion?

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së legjislativit, ka pak pritshmëri se do të ketë përmirësime në aspektin e performancës gjatë këtij sesioni të punës së Kuvendit të Kosovës.

Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se do të ishte mirë që këtë sesion të adresohen mangësitë dhe sfidat të cilat e kanë karakterizuar sesionin pranveror.

“Mos planifikimi i duhur i seancave, përdorimi i gjuhës jo parlamentare e cila eskaloi me dhunë në një nga seancat, pastaj rikthimi i votimit elektronik, pjesëmarrja e rregullt e deputetëve në punimet e Kuvendit, rikthimi i deputetëve të Listës Serbe, mbikëqyrje më e madhe ndaj ekzekutivit, etj”, ka thënë Haxholli në një përgjigje për KALLXO.com

Ajo ka shtuar se mos planifikimi i duhur i seancave ka rezultuar me mbingarkim të rendit të ditës pothuajse në çdo seancë.

“Kryesia duhet të bëjë planifikim më të mirë të seancave duke konsideruar edhe krijimin e një kalendari mujor të seancave. Ndërsa sa i përket projektligjeve që presin votimin e deputetëve kjo ka të bëjë me arsye politike pra me mungesën e vullnetit politik për të miratuar ligjet por edhe me pjesëmarrje jo të rregullt të deputeteve në punimet e Kuvendit. Ka pasur shumë raste gjatë sesionin pranveror kur deputetët edhe pse janë nënshkruar në listat e pjesëmarrjes nuk kanë qenë prezent në seancë në momentet e votimit duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm qoftë për mbajtje të seancave qoftë për miratim të ligjeve”, tha ndër tjerash Haxholli.

Ndërsa në përmbyllje të sesionit pranveror, më 13 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ndodhi një përleshje fizike. E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu vendosi në foltoren e Kuvendit një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karrigia e tij dhe ka grisur fotografinë. Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi.

Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati derisa Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati.

Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së. Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në nisje të seancës, deputetët e PDK-së kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [Përshëndetje, në gjuhën serbe].Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Përleshje fizike në seancën e Kuvendit – VIDEO

Sezoni i ri i emisionit “Kallxo Përnime”, nisi me intervistën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili foli rreth kësaj përleshjeje mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

Ai tha se është kritik për atë se çka ka parë duke uruar që një gjë e tillë mos të përsëritet.

“Më vjen keq se si e përfundoi sesionin e verës Kuvendi i Kosovës, vërtetë jam kritik ndaj asaj që e pashë dhe që e përjetuam së bashku. Nuk kanë qenë pamje të mira për askënd, së paku Kuvendi i Kosovës e ka pas këtë imunitet deri në korrik që të mos i përdor grushtet ndaj njëri-tjetrit por së paku të përdorim argumente dhe gjuhën e argumentit. Ajo që ndodhi, urojmë të mos përsëritet”- tha Konjufca në “Kallxo Përnime“.

“Ne u munduam të shkojmë përmes një strategjie të amnistisë këtë radhë për me mujtë me vazhdu punën Kuvendi të mos ketë hatërmbetje apo acarim të tensioneve sepse ishte seanca e fundit dhe ndëshkimet aty janë për një seancë ose për një muaj përderisa ne pushimin e kemi gati dy muaj”- shtoi ai.

Konjufca tha se tolerancën ndaj opozitës e ka për të krijuar një atmosferë të punës së mirë në Kuvend.

“Tolerancën më të madhe ndaj opozitës e kam me qëllim që me kriju një atmosferë të punës së mirë në Kuvend, sepse Kuvendi është epiqendra e zhvillimeve politike dhe me bo, me u blloku ky institucion, krejt hallkat institucionale nuk funksionojnë”- deklaroi kryeparlamentari.

“Nuk jam ithtar i parimit dhëmbë për dhëmbë, sepse mund të shkojmë ashtu. Dikush e ka bo gabimin, ti e kapë me polici e qet jashtë, shumë e thjeshtë është ajo për tre minuta zgjidhet dhe pastaj mediat mbushen duke e ngreh zhag”- tha mes tjerash Konjufca.

Që dy vjet, nuk punon sistemi elektronik i votimit në Kuvend

Sistemi elektronik në Kuvendin e Kosovës ka dy vjet që është jashtë funksionit për këtë deputetët votojnë me dorë.

Si rrjedhojë, Kuvendi i Kosovës nuk i ka të arkivuara votat e deputetëve.

Për këtë, kryeparlamentari ka thënë se nuk është aq serioze sa duket.

“Votimi elektronik ka mujtë me u bo shumë më herët prej autoriteteve të Kuvendit të cilat nuk janë partiake, por janë administratë shtetërore. Janë dhënë dy opsione se kah mundem me shku me këtë çështje”- ka thënë Konjufca në “Kallxo Përnime”.

Kryeparlamentari thotë se për çështjen e votimit elektronik ka zgjedhur bashkëpunimin me një shtet përmes donacionit, teksa shton se sistemi është afër rregullimit.

“Opsioni i parë është me oferta të hapura kur disa herë mundet me t`u anku ndokush dhe mundet me u vonu procesi një vit dhe projekti tjetër përmes donacionit ku ti lidhesh me një shtet të caktuar mik dhe na ndihmon me kry këtë se nuk është ndonjë shumë e madhe”- është shprehur Konjufca.

“Ne jemi përcaktu me këtë të dytën. Një herë na ka dështu një shtet specifik nuk du me ja përmend emrin. Kjo ka dështu tash një vit, shtet i cili ato 405 mijë euro sa kushton krejt me e renovu sallën i ka dërgu për luftën në Ukrainë. Tash e kemi me një shtet tjetër që e kemi shumë afër. Kërkoj falje që jemi vonu kaq shumë. Më vjen keq që nuk është”- shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit thekson se çdo seancë parlamentare është e incizuar dhe se me kamera mund të shihet se kush çka ka votuar.

“Çdo seancë është me kamerë e incizuar. Nëse ti ma dërgon mua një pyetje se qysh ka votu ose çka ka votu një deputetë, ne me kamera mund t’i nxjerrim shumë kollaj. Një qeveri e Kosovës ka ra në Gjykatë Kushtetuese me një metodë të tillë, jo në mënyrë digjitale tu e shiku se qysh ka votu, po me kamerë”- shpjegon ai.

Konjufca ka shtuar se më shumë i vjen keq që deputetëve nuk u punojnë aparaturat dhe detyrohen me dalë në foltore sesa që nuk punon sistemi elektronik.

‘Pishmanet’ e Glauk Konjufcës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka deklaruar se është pishman në raport me premtimet që i ka dhënë për sistemin e drejtësisë.

Konjufca tha se ka menduar se drejtësia mund të ‘bie në binarë’ për dy vjet.

“Kam mendu që drejtësia në Kosovë është shumë më e lidhur me vullnetin politik dhe ndoshta për këtë ju kërkoj falje qytetarëve të Kosovës. Unë kam thënë që për nga natyra që e kanë proceset politike, unë i ndaj në dy lloje, në ato në të cilat mundesh me intervenu shpejtë dhe me arrit rezultate shumë të shpejta edhe në ato në të cilat nuk mjafton një mandat katër vjet për me i pa dhe përjetu rezultatet pozitive”- tha kryeparlamentari.

“Unë kam thënë drejtësia mundet me u bo për dy vite. Sot jam pishman, sepse kam mendu që drejtësia në Kosovë është shumë më e lidhur me vullnetin politik dhe ndoshta për këtë ju kërkoj falje qytetarëve të Kosovës”- shtoi ai.

Konjufca është shprehur se ka menduar se mjafton që populli të jetë për ndryshim dhe më pas ai të ndodhë.

“Kam mendu që mjafton populli me qenë për ndryshim dhe pastaj ndryshimi me ndodhë dhe përqindja me qenë dominonte, kjo si efekt piramidal, domethënë prej së larti që prej një ndryshimi që ndodhë elektoral, pastaj poshtë nëpër strukturat shtetërore, administratën deri te drejtësia, arrin ky efekt edhe menjëherë fillojnë sepse drejtësia nuk është shumë e ndërlikuar” – theksoi ai në “Kallxo Përnime”.

Ndërkaq për arsimin dhe ekonominë, Konjufca tha se duhen së paku dhjetë vjet që të rregullohen, pasi sipas tij asnjë shtet nuk ka mundur ta bëj këtë më pak se 10 vjet.

Konjufca: Kusari Lila ka gabuar që e ka lejuar Simiqin të flas me Radoiçiqin në prezencë të saj

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur edhe për audio-incizimet ku dëgjohen duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Konjufca tha se nuk ka pasur informacion se Kusari-Lila ka folur me Millan Radoiçiq, por sipas tij, deputetja e LVV-së ka gabuar që ka lejuar Simiq të bisedojë me Radoiçiqin në prezencë të saj.

“Unë nuk kam pasur kurrfarë informacioni, por Radoiçiqi thirret në telefon prej varësve të tij për çdo sekondë mendoj. Prej Vetëvendosjes nuk thirret kurrë në telefon. Po nëse e ka thirrë vartësi i tij në telefon dhe e ka keqpërdor praninë e shefes sonë të grupit parlamentar, ajo i ka pesëdy opsione. Ose me pritë deri te përfundon bisedën ky zotnia, ose me i thonë “shkllap”, nalu edhe çu dil jashtë. Kjo e ka zgjedhë këtë të parën. Ndoshta nuk është versioni më i mirë që e ka zgjedhë, por ashtu ka ndodhë”- tha Konjufca.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se Millan Radoiçiq është kriminel.

“Nuk kam kurrfarë tolerance për të, ai është kriminel”- shtoi ai.

Kryeparlamentari ka thënë gjithashtu që s’mund të fajësohet Albin Kurti për rastin e audio-incizimeve. Ai madje bëri edhe një krahasim në lidhje me këtë.

“A din se si është kjo. A ndodhi një krim me një kafiq në Prishtinë? Si me dalë tash unë me thanë, kryetari i PDK-së i ka shti, unë nuk e them kurrë atë. Gabim është. S’ bën sepse krimi ndodhë, çka ka lidhje që ai është restoranti i dikujt”- shpjegoi Konjufca.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audioincizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Kusari- Lila, kishte deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Kusari- Lilës, incizimi dhe publikimi i tij i jashtëligjshëm nga Simiq nuk ka qëllim as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.

Konjufca: ‘Libri sot konsiderohet si letër tualeti’

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca në “Kallxo Përnime” derisa ka folur për situatën e librave shkollorë, ka bërë një krahasim, për të cilin paraprakisht ka kërkuar falje për gjuhën.

Sipas Konjufcës, sot në Kosovë, libri si ‘letër tualeti’.

“Më falni që po e përdori këtë shprehje, i kërkoj falje edhe opinionit publik, por a e di saktë se cila është vlera materiale sot e librit shkollor? Letra e tualetit. Libri shkollor konsiderohet si letër tualeti” – tha kryekuvendari Konjufca.

“Nuk mundem me lidhë unë me kryetarin e PDK-së. A kanë dalë kanë thanë Albini e ka shti me folë [Mimozën]. Për Kurtin krejt thonë që ai po i shtynë, po kjo nuk është fer. Për me i pëlqy popullit kritika duhet me qenë e ndershme”- është shprehur Konjufca.

Sipas tij, në Kosovë, viteve të kaluara ka pasur raste kur mbi 200 mijë libra nuk janë përdorur.“235 mijë libra kanë ndodhur që vitet e kaluara kanë mbetur nëpër bodrume edhe janë kthyer dhe është dashtë me u shkatërru, kjo është e barasvlershme me letër tualeti. Kjo informatë nëse ma jepni ju mua sot, konsideroj që është një problem shumë i madh” – ka thënë kryetari i Kuvendit në Kallxo Përnime.

Ai e shpjegon këtë me problemin planifikimit dhe shfrytëzimit të librit shkollor.

“A di sa milionë euro bëjnë 235 mijë libra të pashfrytëzuara edhe kush i merr ato para? A duhet m’u rregullu ky problem? Versioni më i mirë për me rregullu është më 1 shtator dhe 100% janë librat tek te gjithë nxënësit por kjo s’ka mujtë m’u rregullu kështu.” – thotë ai.

Konjucka ka thënë gjithashtu se nuk ka ndonjë dyshim për korrupsion në situatën e librave shkollorë, por që sipas tij shtëpitë botuese i kanë të gjitha kompetencat për këto libra.

“Kurrikula nuk është e shtetit sot, shteti ka kontratë me shtëpi botuese, qysh mundet me qenë kurrikula e shtetit kur nga një libër i matematikës, janë bërë katër sosh, sepse ashtu ka vendosur shtëpia botuese edhe e ka bërë këtë të obligueshme. Edhe çmimi për librin është rritur, sepse nga 2 të tilla janë bërë 4. Por 4 libra fëmijës nuk po i duhen, por shtëpia botuese po vendos që atij po i nevojiten” – ka thënë mes tjerash Konjufca.

Pak dita para se të niste viti i ri shkollor, Ministria e Arsimit kishte njoftuar se librat shkollorë për nxënësit gjatë këtij viti nuk do të blihet nga institucionet, pro nga vet prindërit, ndërsa paratë e shpenzuara pastaj do të kalonin në llogaritë e tyre bankare përmes sistemit E-Kosova.

MASHTI shqyrton mundësinë që paratë për blerjen e teksteve shkollore t’ua transferojë prindërve

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në intervistën dhënë për “Kallxo Përnime”, ka folur edhe rreth Kodit Civil.

Ai e ka mohuar të jenë 10 deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kishin votuar kundër këtij ligji.

Ai tha se shumica nga deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë abstenuar, por nuk kanë qenë kundër.

“Nuk kanë qenë kundër, kanë abstenuar, më duket se diku ishte 28 me 29 ka qenë me abstenim e për. E vërtetë që disa janë kundër dhe i kanë mendimet e tyre unë nuk pajtohem me ato mendime por shumë më duket qëndrimi i opozitës se i atyre kundër”, tha Konjufca.

Ai shtoi se në asnjë vend të zhvilluar në Bashkimin Evropian, një parti politike e vetme s’mund ta kaloj këtë ligj.

“Cili shtet ka mundur që me një parti politike ka mundur ta kaloj Kodin Civil. Ku e ka kalu veç një parti Kodin Civil në botë? Në secilën parti ka grupe që janë më konservativ kanë bindje religjioze thonë që ky kod e prish familjen, e shkatërron. Unë kam respekt për secilën bindje, por me thanë opozita kaloje ti vet Kodin Civil se unë po të kqyri ty tu mos mujt me kalu”, tha tutje Konjufca.

Ai më tej ka thënë se Kodin Civil do ta kalojnë bashkë me partitë opozitare. Duke i ftuar publikisht që të bashkohen rreth kësaj nisme. “Ose do ta bëjmë bashkë ose kjo s’kalon. Publikisht them që pa votën e opozitës, Kodi Civil nuk do të kaloj në Kosovë”, tha ndër tjerash ai.

Tjetër stagnim i Kosovës: Të drejtat e LGBT në kohë konfliktesh

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca teksa ka folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, thotë se Kosova mund të kapet për letrën e presidentëve.

Sipas tij, çështja e korrigjimit të kufijve mund të kthehet nëse vendosen gurët në vijën kufitare.

“Është një premtim i presidentëve dhe ne e vlerësojmë se mundet me u kap Kosova për atë, ka bazë ligjore sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë veç e bardha në të zezë se çka shkruhen, por janë edhe kur merren vesh krerët e shteteve që ajo me u rivlersu vija kufitare, nuk janë vendos gurët. Kur të vendosen, ne mendojmë që me u kthy dhe me u hapë edhe njëherë çështja e saj” – tha Konjufca në “Kallxo Përnime”.

Kryeparlamentari tha se demarkacioni ngritët si çështje vazhdimisht në takime me autoritetet e Malit të Zi.

“Kjo është pak konfidenciale, por ngritët vazhdimisht në takime kur janë të brendshme dhe nuk janë domosdoshmërish me kamera, me autoritetet e Malit të Zi” – theksoi Konjufca.

“Ajo vjen kur të vjen çështja që definitivisht të kryhet vija kufitare dhe me qenë e legalizuar përmes gurëve të kufirit dhe ku vendosen vijat. Ajo nuk është vendos ende, por pritet me u vendos” – shtoi ai.

‘Çdo gjykim i veshjes së grave është i papërshtatshëm’

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka komentuar deklaratat e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, i cili kishte thënë se “Ka informacione që në mediumin publik punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”.

“Unë e kam interpretimin më ndryshe. Mendoj që çdo interpretim dhe gjykim i veshjes së njeriut, por veçanërisht i grave prej një zyrtari publik është i papërshtatshëm dhe nuk duhet të ndodh. S’bon hiç me komentu veshjen. Mua këtë ma kanë interpretu krejt ndryshe. Mua personeli im më ka sjell diçka për RTK-në që ka të bëj me chek-in dhe chek-out, veç 20 minuta rrinë në RTK dhe e marrin rrogën” – ka thënë Konjufca.

Ai më tej rreth deklaratës së Boletinit, ka thënë se ka mundur të gaboj në formulimin se çka ka dashur të thotë.

“Unë nuk pe di a ka gjyku ai specifikisht për gratë pasi paska thënë pizhama, por prap se prap veshja nuk duhet komentuar fare as për burrat as për gratë”, tha tutje KonjufcaKryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini para disa ditëve në një mbledhje të Bordit se ka informacione se njerëzit në RTK vijnë me pizhama e miniqa.

“Unë mendoj që duhemi me marr një veprim për raport mujor për secilin punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se njerëzit vijnë me pizhame, vijnë me miniqa, vijnë bëjnë check-out natën në ambientet e punës dhe kjo është e papranueshme, është e papranueshme me rezultu një tik……” – kishte thënë Boletini.

Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame

Sindikata e Pavarur e RTK-së kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bordit, Besnik Boletini pas deklaratës së tij.

Sindikata e RTK-së kërkon dorëheqjen e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini

Sindikatat e punëtorëve të RTK-së më 11 të këtij muaji kishin nisur mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin për të kërkuar dorëheqjen e kryesuesit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini, pas deklaratës së këtij të fundit.

Hoxha: Peticionin për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së për dy orë e nënshkruan 150 punëtorë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në “Kallxo Përnime” ka deklaruar se në sistemin e drejtësisë ka tendencë të njolloset Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo pasi ai ka thënë se në drejtësi është dikush që me vullnet anti-LVV, të cilët çështjet administrative i bëjnë penale.Kështu ka thënë Konjufca teksa ka folur për çështjen e rezervave shtetërore.

“Është një defekt shumë i madh në Republikën e Kosovës. Është defekt se çështjet administrative, po është dikush në drejtësi me vullnet anti –  LVV, special anti – LVV, i bën penale”- ka deklaruar ai.

“Për shembull Jeta Xharra bën një gabim administrativ, është i nivelit administrativ. Edhe unë ia kthej Jeta Xharrës prej administratives në penale. Pse e bëjë këtë? Se du me të njollosë edhe me të çu në burg një muaj në burg. Edhe për ty pastaj shkruajnë krejt që je hajn” – ka thënë Konjfuca para Jeta Xharrës derisa argumentonte pretendimet e tij se në drejtësi ka vullnet anti-Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas kryeparlamentarit, në çështjen e rezervave shtetërore nuk ka ndonjë shkelje.

“Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje aty, e aq më pak korrupsion. Qeveria ka thënë “hajde shkojna bashkë në depo është 97.5%, 2.5 % ka me ardhë, qekjo nuk është vepër penale” – ka thënë Konjufca.

Ai po ashtu ka thënë se në agjenci qeveritare është e ligjshme që kryeministri të emëroj persona.“Nëse një institucion është qeveritar, agjenci qeveritare, se agjencitë ndahen në të ndryshme, qeveritare dhe të pavarura, nëse është e pavarur, ti nuk ke drejtë si ministri me iu perzi dhe ti e vendos atje një njëri, kjo mund me përbë vepër penale. Por nëse e çon dikë në agjenci qeveritare, kryeministri e ka me ligj të drejtën”- ka shtuar ai.Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Lidhur më këtë, Konjufca ka thënë se pas inicimit Komisioni do të bëhet.Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Afera me rezervat shtetërore – Çka thotë dosja e Prokurorisë për zyrtarin e MINT, Hafiz Gara?