Ilustrim

MASHTI shqyrton mundësinë që paratë për blerjen e teksteve shkollore t’ua transferojë prindërve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferoj drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Nagavci tha se për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.

Ministrja e Arsimit tha se deri tek shqyrtimi i një opsioni të tillë kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së parasë publike.

Nagavci theksoi se Ministria që ajo udhëheq ka filluar rishikimin e teksteve shkollore dhe se kanë pranuar raportet e para për një proces të tillë, duke përmendur edhe ligjin për tekste shkollore.

“Ky ligj është votuar në qeveri dhe aktualisht është duke u shqyrtuar në Kuvend, pres që këtë vit të miratohet dhe ti hap rrugë risive të reja siç janë aplikimi i drejtpërdrejt i autorëve, digjitalizimin e librave shkollorë, licencimin e recensentëve…”- tha ajo.

Zëvendësminsitri i MASHTI-it, Taulant Kelmendi e quajti të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit.

Ai tha se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”- tha Kelmendi në konferencën për media.