Balotazhi për kryetar të Rahovecit – Çfarë premtuan Smajl Latifi dhe Ali Dula?
Smajl Latifi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ali Dula i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) do të përballen në balotazhin për kryetar të Komunës së Rahovecit që do të mbahet më 09.11.2025.
Në zgjedhjet e datës 12.10.2025, Smajl Latifi i AAK-së mori 37.18% të votave, ndërsa Ali Dula i LVV-së 23.93%.
Para përballjes në balotazh, kandidatët u përballën më 04.11.2025 në “Debat Përnime”, platforma e vetme e formatit Fact-Check (verifikimi i fakteve).
Latifi e Dula përballën idetë dhe planprogramet e tyre për mandatin katërvjeçar nëse fitojnë më 9 nëntor.
Premtimet e Ali Dulës për investime kapitale në Rahovec
Ali Dula i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e ardhshëm katërvjeçar theksoi fokusi kryesor do të jetë te pjesa e shërbimeve publike.
“Atëherë fokusi jonë në investimet kapitale sigurisht që do të jetë tek pjesa e shërbimeve publike. Do të kemi ndërtimin e disa këndeve për lojëra dhe parkingje në hapësirat publike, të cilët realisht i mungojnë Rahovecit. Dhe po ashtu do të kemi edhe disa hapësira publike të cilat do t’i krijojmë enkas për pensionistët, të cilët realisht nuk kanë ende një hapësirë publike adekuate” – u zotua Dula.
“Gjithashtu do të krijojmë edhe parqe të ndryshme të cilat janë ekzistuese brenda qytetit ose brenda lagjeve, por në qoftë se janë aty ne edhe do t’i mirëmbajmë. Pastaj do të investojmë edhe në infrastrukturë dhe këto investime nuk do të jenë sa për marketing ose për reklamë, por do të kemi investimet me një qëndrim ose me një pikëpamje krejtësisht të barabartë pa shiku realisht se ku qëndron trupa elektorale e një subjekti politik.” – theksoi Ali Dula.
Gjithashtu Dula premtoi investim edhe në sektorin e bujqësisë, duke premtuar zgjerim të sistemit të ujitjes.
“Natyrisht, e kemi tashmë një zotim publik si një lajm më i mirë që kemi marrë deri tani nga Qeveria qendrore që do të kemi edhe zgjerim të ujitjes së tokave bujqësore me një fokus të veçantë edhe me ujitjen e vreshtave me sistemin pikë-pikë.” – potencoi ai.
“Do të kemi gjithashtu edhe zgjerim të rrugës Rahovec-Suharekë me katër korsi”- premtoi Ali Dula.
Premtimet e Smajl Latifit për investime kapitale në Rahovec
Ndërsa Smajl Latifi nga radhët e AAK-së për mandatin e ardhshëm premtoi transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi për Komunën e Rahovecit.
Gjithashtu Latifi premtoi edhe ndërtimin e rrugëve dhe trotuareve.
“Ne kemi parimet e qeverisjes tonë: transparencë dhe llogaridhënie, drejtësi edhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim, në mënyrë që të jenë përfitues pikërisht ata. Zhvillim të qëndrueshëm dhe natyrisht përfshirje sa më e madhe e qytetarëve në vendimmarrje, pra në diskutime publike, shqyrtime publike, dëgjime buxhetore ashtu siç e kemi bërë gjithmonë” – tha ai.
“Ne do të vazhdojmë me projekte infrastrukturore. Janë edhe 12 rrugë në qytet që do të jenë në ndërtim. Është rruga katër korsi, pastaj është rruga Rahovec-Drenoc-Senoc, pas asaj Polluzhë deri në Sarosh. Po ashtu edhe segmenti tjetër në të njëjtën kontratë deri në Fortesë. Ne jemi duke ndërtu rrugë e rrugica, po ashtu edhe trotuare dhe besoj që nga pikëpamja e zhvillimit ose përmirësimit të infrastrukturës, ne jemi duke avancuar tashmë sepse edhe sot po punohet në punishte në terren” – potencoi Smajl Latifi.
Tutje Latifi premtoi investime edhe në sektorin e bujqësisë, agro-turizmit si dhe mbështetje për bizneset.
“Ne po ashtu në planin tonë parashohim t’i japim edhe më shumë fuqi, shpirt, zemër, zhvillimit të bujqësisë duke e përkrahur bujqësinë e mençur. Pastaj do t’i japim përkrahje të fuqishme sektorit të agroturizmit, i cili veç i ka dhënë shenjat e para të zhvillimit. Po ashtu, ne do t’i japim përkrahje edhe lehtësira konkrete bizneseve, sidomos investitorëve që vijnë nga mërgata” – u zotua Smajl Latifi.
Premtimet e Smajl Latifit për arsimin në Rahovec
Latifi tregoi se ka marrë rreth 700 mijë euro nga Thesari i shtetit për ndërtimin e shkollave në këtë komunë.
Sipas tij ende në planprogram janë ndërtimet, renovimet dhe infrastruktura e brendshme e shkollave në Rahovec.
“700.000 mijë euro janë marrë nga Thesari në mënyrë të dhunshme për ndërtimin e shkollës fillore “Hamëz Thaçi” në Xërxë. Ndërsa po ashtu kemi edhe një aneks të shkollës fillore “Katër Dëshmorët” në Ratkoc. Bëhet fjalë për ndërtime të shkollave, ndërsa për rinovime, pra riparime e përmirësim të nyjave sanitare dhe të infrastrukturës së brendshme të shkollave, por edhe të jashtme të shkollave kemi bërë bukur shumë.” – tha ai.
Po ashtu Smajl Latifi theksoi se disa shkolla do t’i nënshtrohen programit për efiçiencë.
“Por kemi në planifikim edhe që me programin e efiçiencës po ashtu t’i nënshtrohen edhe shkolla në Zaqisht, shkolla në Sapniq dhe tre-katër shkolla të tjera të cilat janë në gjendje më pak të kënaqshme për sa i takon infrastrukturës fizike” – potencoi Latifi.
Premtimet e Ali Dulës për arsimin në Rahovec
Ali Dula theksoi rëndësinë e Kodit të Shkollave për Rahovecin dhe u zotua për kthimin e tyre.
“Arsimi ose investimi në arsim nuk është kosto shpenzime, por është investimi më i mençur në zhvillimin e një shoqërie. Unë jam vetë mësimdhënës dhe e di fare mirë rëndësinë se çfarë duhet të ketë kjo. Unë mendoj që konkretisht tek rasti i shkollës së Xërxës, duhet të kthehet Kodi i Shkollës nga Ministria në mënyrë që të kemi domethënë përkrahje drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit që ta financojë dhe ta finalizojë të gjithë dhe këtë po e premtoj që do të bëjë çmos dhe nuk do të lë gur pa lëvizur që ta kthej Kodin e Shkollës në mënyrë që të financohet dhe të përfundojnë të gjitha punimet aty” – tha Dula.
Tutje u zotua për investime të mjeteve praktike në shkollat profesionale të Rahovecit.
“Dhe natyrisht do të kemi investime edhe në pjesën e mjeteve praktike në shkolla ose në shkollën profesionale “Seladin Mullabazi”, ku një pjesë e madhe e mjeteve praktike mungojnë aty sepse nxënësit janë të orientuar nga mësimi profesional dhe kjo mungesë e tyre duhet patjetër që të vihet” – shtoi Ali Dula i LVV-së.
Po ashtu një nga temat që ndezi debat mes kandidatëve ishte përfundimi i shkollës në fshatin Xërxë, e cila është në ndërtim tash e disa vite.
Ali Dula nga Vetëvendosja tha se gjendja aktuale në objektin ku mësojnë nxënësit është për keqardhje, duke theksuar se mungojnë kushtet elementare.
“Në Xërxë e kam mbajtur tubimin elektoral dhe pjesa ku vijojnë mësimin nxënësit është për keqardhje. Mungojnë gjërat më elementare dhe është një interier që është në gjendje të mjerueshme”, – tha Dula.
Nga ana tjetër kryetari aktual i Komunës, Smajl Latifi, tha se shkolla në Xërxë është në fazën finale dhe se punimet po zhvillohen përkundër mungesës së mjeteve financiare.
“Ajo është në fazën finale dhe operatori është i mirë, po punon përkundër faktit që s’ka mjete financiare. Qeveria i ka vonu mjetet, edhe për çerdhen në qytet edhe për shkollën në Pastasel”, – deklaroi Latifi.
Dula vazhdoi me replikë duke thënë se Qeveria nuk ka vonuar asnjëherë mjetet financiare, por se problemi qëndron te menaxhimi i dobët komunal.
Shëndetësia
Në raportin e performancës, Rahoveci renditet si komuna e pestë në Kosovë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa në buxhetin e investimeve për vitin 2026 janë paraparë vetëm 85 mijë euro për projektet në këtë sektor.
Dula e quajti këtë shumë të pamjaftueshme, duke premtuar ngritje të buxhetit dhe ndërtimin e Poliklinikës Specialistike në Rahovec.
“Do të angazhohemi ta ngrisim buxhetin në shëndetësi. Në programin tonë, e kemi bë publike ndërtimin e Poliklinikës Specialistike në Rahovec, që do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe mungesën e specialistëve si gjinekologu e pediatri” , tha ai, duke shtuar se në QMF-në e Ratkocit nuk jepen as infuzione – gjë elementare për pacientët.
Por Latifi i quajti “përralla me mbret” pohimet e Ali Dulës, duke thënë se Komuna ka investuar në të gjitha qendrat shëndetësore.
“Ne kemi riparu të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe ambulancat. Ka shërbime falas, infuzione jepen edhe në Ratkoc. Bëhet një punë kolosale nga punëtorët shëndetësorë. Ka defekte, por kjo s’e mohon faktin që punohet shumë në shëndetësinë e Rahovecit”,- deklaroi ai.
Latifi përmendi bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe organizatat lokale si Hendikos, Kryqi i Kuq dhe Shoqata “Hareja”, duke thënë se janë realizuar projekte për persona me nevoja të veçanta.
Mjedisi dhe ujërat e zeza
Të dy kandidatët premtuan për investime në kanalizim dhe mbrojtje të mjedisit, por me qasje të ndryshme.
Latifi theksoi se komuna ka planifikuar ndërtimin e impianteve të vegjël për trajtimin e ujërave të zeza, pasi projekti i madh është shumë milionësh dhe jashtë kapaciteteve komunale.
“Ne nuk mund ta presim impiantin e madh, por do të ndërtojmë impiante të vegjël që pastrojnë deri në 70% të ujërave. Parashihen edhe hapësira të gjelbëruara, parqe e kanale kulluese. Mjedisi do të mbetet prioritet”,- Tha ai.
Sipas tij, komuna ka aplikuar në fondet e IPE-së me bashkitë e Lezhës dhe Hasit për financimin e pesë gropave septike dhe disa bujtinave për agroturizëm.
Në anën tjetër, Dula u fokusua në ndalimin e gropave septike dhe ndarjen e rrjeteve të ujërave të zeza nga ato atmosferike.
“Do të eliminojmë gropat septike dhe praktikën e dëmshme të derdhjes së ujërave të zeza në tokat bujqësore. Do të ndërtojmë impiante në nivel fshati dhe rajonal me mbështetje të ministrisë dhe donatorëve. Po ashtu, për herë të parë do të krijohen gropa të veçanta për mbetjet e kafshëve nga thertoret”, – Tha ai.
Dula premtoi edhe vendosjen e kamerave për të monitoruar deponitë ilegale, duke përmendur ato në Xërxë dhe Fortesë, të cilat sipas tij janë pastruar vetëm pak para fushatës.
Koalicionet dhe balotazhi
Një nga pyetjet e fundit për kandidatët ishte se si do të qeverisin pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh se asnjëri nuk ka shumicë në Asamble.
Dula tha se është “njeri i bashkëpunimeve” dhe se do të kërkojë mbështetje nga subjektet që nuk kanë arritur në balotazh.
“Nuk jam njeri i refuzimeve do të kem qasje korrekte me subjektet që nuk janë në balotazh. Jam i bindur që 63% e qytetarëve kanë votuar për ndryshim”,- U shpreh ai.
Latifi, nga ana tjetër, tha se nuk ka koalicione dhe se partia e tij bashkëqeveris e vetme, por se kërkon mbështetje nga të gjithë qytetarët.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12.10.2025, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dalë e para në garën për kryetar të Komunës së Rahovecit, duke marrë 37.18% të votave, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është renditur e dyta me 23.93%.