Si të shkruhet një raport pune për zëvendësministra?

Këshilla për zëvendësministren e re se si të raportoj tek Kryeministri për punën e saj 100 ditore.

Në fund të javës së kaluar, kryeministri Haradinaj emëroi edhe një zëvendësministër. Nëse edhe zëvendësministrja e re duhet me raportuar për punën e saj pas 100 ditësh, ja disa këshilla bazuar në 70+ raportet që i kanë shkruar kolegët e saj për punën 100 ditore të tyre:

  1. Që në fillim të raportit, përkujtoja Kryeministrit që je emëruar me vendim të tij. Duket diçka e pa rëndësishme, por shumë nga kolegët e tu zëvendësministra këtë e kanë bërë në raportet e tyre. Tek e fundit, nuk është e lehtë për Kryeministrin me i mbajtë në mend rreth 80 vendime që i ka nënshkruar për emërim të zëvendësministrave.
  2. Në ditët e para të punës, nëse ke fat, mund të takohesh me ministrin. Disa nga kolegët e tu kanë qenë të pafat dhe nuk kanë mund të takohen fare me ministrat, edhe pse janë zëvendës të tyre. Si mund të kryesh punën si zëvendës, nëse atë që e zëvendëson nuk mund ta takosh asnjëherë? Por sido që të jetë, e takove ministrin ose jo, shënojë këtë në raport për Kryeministrin.
  3. Ti nuk do të jesh e vetmja zëvendësministre në atë ministri, mund të kesh edhe pesë kolegë të tjerë. Por mos u zhgënje, sa më shumë zëvendësministra në një ministri, aq më shumë mundësi për të raportuar. Nëse takohesh njëherë më secilin nga zëvendësministrat, mund të përfshish deri në pesë pika në raportin për Kryeministrin. Nëse i takon kolegët e tu zëvendësministra më shumë se një herë gjatë 100 ditëve të para, edhe më mirë. Të gjitha shënoi në raport.
  4. Në raportin tuaj për Kryeministrin, mos harro të tregosh nëse zyrtarët e ministrisë kanë qenë mikpritës. A të kanë siguruar zyre që në ditët e para apo është dashtë të sillesh rrugëve për disa ditë deri sa të gjendet një hapësirë e vogël për zyre? Nëse ke siguruar zyre, a je e kënaqur me inventarin? A e ndanë zyrën edhe me asistentin/en dhe vozitësin/en si Gjergj fatziu, apo ke një zyre në vete ashtu siç e meriton posti i zëvendësministres? Mos lë jashtë raportit edhe detaje të tjera logjistike, si për shembull, nëse keni marr telefonin zyrtar nga ministria, veturën zyrtare dhe televizor. Televizori është shumë i rëndësishëm për kryerjen e punës së zëvendësministrave. Pa televizor, si mund ta shihni paraqitjet e juaja mediatike?
  5. Mos prano urime për pozitën e re përmes telefonit apo mesazheve në mediat sociale. Ftoi të gjithë në zyre të ta urojnë pozitën e lartë në administratën shtetërore të Republikës së Kosovës. Të gjitha vizitat për urimet përfshij në raportin 100 ditorë të punës.
  6. Ftoje sekretarin e ministrisë dhe drejtorët e të gjithë departamenteve që të prezantohen dhe të tregojnë se me çfarë merren. Secili nga ta e ka bërë këtë prezantim nja pesë herë me kolegët e tu të emëruar më herët, andaj i kanë të gatshme prezantimet. Të gjitha këto takime shënoi në raportin për punën 100 ditore.
  7. Siguroje një ftesë nga vendet e Evropës Perëndimore, ose edhe më mirë nga SHBA ose Kanada, dhe përdore si arsye për të ndërmarr një vizitë studimore në këto vende. Nuk ka fare problem nëse je zëvendësministre e tregtisë dhe industrisë, e ftesa ka të bëjë me një dasmë në Kanada ose Suedi, apo edhe për të parë një ndeshje futbolli të një ekipi të panjohshëm. Në raport mund ta shkruash se ke vizituar diasporën për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë. Mëso nga ministrja Reshitaj, edhe pse është ministre e mjedisit dhe planifikimit hapësinorë, kjo nuk e pengon që ajo të vizitoj selinë e NATO-s në Kanada dhe madje të marr mbështetje të këtij organizmi për punën e saj.
  8. Kulmi i punës së zëvendësministrit/es është përfaqësimi i ministrisë në mbledhjen e Qeverisë, kur ministri ka punë më të mençur për të bërë dhe nuk mund të marr pjesë. Andaj, sigurohu që së paku një herë arrin të marrësh pjesë ne mbledhjen e Qeverisë. Në raportin për Kryeministrin, përveç që e shënon pjesëmarrjen tënde në mbledhjen e Qeverisë, bashkëngjite edhe agjendën se çfarë është diskutuar atë ditë në Qeveri. Kjo ta mundëson që të plotësosh një faqe të tërë të raportit.
  9. Përfshijë në raport çdo ftesë të organizatave jo qeveritare për të marr pjesë në konferenca. Raportit bashkëngjitja agjendën e konferencës dhe një përmbledhje të diskutimeve. Gjithashtu, mundohu të ruash linqet e çdo paraqitje në media. Nëse Kryeministri nuk do mund t’i shikoj të gjitha, njëri nga koordinatorët nacional do ja përmbledh pikat kryesore.
  10. Nëse viziton ndonjë objekt fetarë, apo vendos kurora lulesh në lapidaret e dëshmorëve, kudo në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri, mos harro ta përmendësh në raport. Kryeministri i adhuron veprimet patriotike të zëvendësministrave. Gjithashtu, në rast se shkon në pushime verore në Shqipëri, kujdesu që të lësh një takim me kryetarin/en e ndonjë komunë të vogël. Kësisoj pushimin mund ta raportosh si vizitë zyrtarë në shtetin amë, dhe të marrësh mëditje.
  11. Çdo email që e pranon apo e dërgon, kujdesu t’i printosh dhe t’i përfshish në raportin për punën 100 ditore. Kryeministri e mirëkupton sfidën që zëvendësministrat kalojnë për të mësuar përdorimin e emailit zyrtar, sidomos sfidën për të shënuar shkronjën “ë” në tastierë.
  12. Çdo angazhim tuajin kujdesu që ta fotografosh dhe fotografinë ta dërgosh si dëshmi në raport për Kryeministrin. Për shkak të kualitetit të fotografive, është me rëndësi që ti japësh udhëzime të qarta zyrës së prokurimit në ministri se çfarë telefoni mobil dëshiron të të blejnë. Një prej atyre që e kanë kamerën me kualitetin më të lartë. Mos ti ju dhimbset buxheti për telefonin mobil, edhe ashtu Kryeministri nuk e paguan nga xhepi i tij. Për pikë të qejfit Kryeministri ishte në prag të ja falte 50 milionë euro borxhe ambalazhuesve të ujit dhe për pikë të qejfit ja fali 53 milionë euro kompanisë që ndërton autostradën Prishtinë-Shkup. Andaj, çka janë një mijë euro për një telefon të mirë mobil, cili mundëson një raport të mirë për punën 100 ditore?
  13. Nëse ke ndonjë studim apo raport për gjendjen e tregtisë dhe industrisë, përfshije në raport. Nëse nuk ke siguruar një raport të tillë, i cili mund të jetë i ministrisë apo ndonjë organizate jo qeveritare, mos u merakos mund të përfshish ndonjë punim seminarik që ke shkruar gjatë studimeve, edhe nëse punimi seminarik ka të bëjë me fushën e psikologjisë në të cilën keni studiuar ju. Tek e fundit, më shumë se për çdo gjë tjetër, kjo Qeveri ka nevojë të lexoj studime nga fusha e shëndetit mendorë.
  14. Krejt në fund, nëse ka mbetur pak hapësirë në raport, në mesin e të gjitha atyre fotove, emailave, agjendave, mund të përfshish edhe diçka konkrete nga përmbushja e Planit vjetor të ministrisë, apo Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021. Por kjo nuk është aq e rëndësishme ngase Kryeministri është i vetëdijshëm se këto plane kombëtare janë shkruar vetëm sa për sy e faqe.

Kësisoj, me këshillat e lartcekura, duke u bazuar në përmbajtjen e raporteve që zëvendësministrat kanë dorëzuar para jush, e për të cilat Kryeministri është ndarë shumë i kënaqur, mund të përpiloni një raport rreth 40 faqe. Për shkak se për Kryeministrin më me rëndësi është pesha fizike e raportit se sa përmbajtja, raporti i juaj mund të cilësohet si raporti më i mirë i një zëvendësministri. Raport historik. Suksese.

Shkrime nga dosja e zëvendësministrave:

Zëvendësministri i raporton Haradinajt se ku e festoi 10 vjetorin e Pavarësisë

Zëvendësministri i raporton Haradinajt bisedën në radio dhe 54 fotografi nga takimet

Zëvendësministri i raporton Haradinajt: Vizitova tri ambasada të Kosovës

Zëvendësministri i raporton Haradinajt: I vizitova 69 ndërtesa

Zëvendësministri i raporton Haradinajt: Kam kontrolluar 288 lëndë

Agim Çeku i raporton Haradinajt: Kam dalë në TV

Zëvendësministri i raporton Haradinajt: Jam taku me Ty!

Fotografi për ta bindur Haradinajn se zëvendësministri punoi

Zëvendësministri i ankohet kryeministrit: Nuk kam bashkëpunim me Ministrin Abelard Tahiri

Zëvendësministri i raporton Haradinajt lajme shpresëdhënëse për Diasporën

Raporti me gabime drejtshkrimore i zëvendësministrit të bujqësisë

Zëvendësministri ia shpjegon Kryeministrit rregulloren e Qeverisë

Zëvendësministri i raporton aktivitetet partiake tek Kryeministri

Zvëvendësi i Mahir Yagcilar: Javën e parë u njoftova me Ministrin dhe Sekretarin 

Zëvendësministri ia dërgon kryeministrit agjendën me 76 takime

Zëvendësministri i raporton Haradinajt: Jam takuar me ministren

Zëvendësministri raporton tek Haradinaj 30 takime për 100 ditë

Zëvendësministri i ngarkuar me hulumtime dhe grupe punuese

Gjergj Dedaj i ankohet Haradinajt, Pacolli nuk më pranon në takim

Zëvendësministrja e llogaritë punë vizitën në Katedrale

 

31 Korrik 2018 - 15:46

Agron Demi 31/07/2018 - 15:46
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend