Zëvendësministrja e llogaritë punë vizitën në Katedrale

Vizitën në Katedralen “Nënë Tereza” për Pashkë, në të cilën thotë se u ka uruar qytetarëve festën, zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra e ka raportuar si njërën ndër punët e saj tek Kryeministri.

“Me rastin e festimit të përjetshëm të Pashkëve, festës së Ringjalljes, Zv. Ministrja, Shkodra vizitoi Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ku zhvilloi takim me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji. Duke i’u uruar festën e madhe të Pashkëve, znj. Shkodra uroi që të gjithë njerëzit në Kosovë ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën dhe të gjejnë durimin për zgjidhjen e mospajtimeve”, thuhet në raportin e Shkodrës, të shkruar në vetën e tretë.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në raportin 100 ditorë të saj, të cilin ia ka dorëzuar shefit të qeverisë, veç tjerash thotë se ka vizituar edhe 11 komuna.

Referuar raportit, këto vizita janë bërë në kuadër të lansimit të projekteve për investime kapitale, grante/subvencione që siç shkruan, drejtpërdrejt ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie të qytetarit të Kosovës.

Shkodra ka vizituar: Suharekën, Rahovecin, Deçanin, Junikun, Obiliqin, Gjakovën, Vitinë, Kamenicën, Ranillugun Klinën dhe Gjilanin.

Në Gjilan, thotë se ka marrë pjesë në pesë vjetorin e themelimit të Universitetit “Kadri Zeka”.

“Pas përfundimit të ceremonisë, zëvendësministrja vazhdoi takimet e saj edhe me stafin akademik të universitetit, për t’u njoftuar më gjerësisht për punën dhe aktivitetet e tyre, të cilët ishin të fokusuar në avancimin e sistemit arsimor me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë raporti.

Veç këtyre komunave, ajo ka vizituar edhe Tiranën e Londrën.

Në fund të raportit thuhet se ajo do të vazhdojë ‘me zhvillim edhe më të hovshëm të punës dhe aktiviteteve të saj’.

Shkodra është emëruar zëvendës ministër e MZHR-së më 11 shtator 2017.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: Magbule Shkodra – Raporti

KALLXO.com do të publikojë raportet e punës së zëvendësministrave, të cilët i janë dorëzuar Kryeministrit.

Pas pak mund të lexoni raportin e zëvendësministrit Gjergj Dedaj.

Raporte të ngjashme:

 

 

Gjergj Dedaj e raporton si punë vendosjen e luleve në lapidarin e Vlorës

Zëvendësministrja e llogaritë punë vizitën në Katedrale

Për lopët-fabrika dhe kuriozitete tjera nga raportet e zëvendësministrave

Zëvendësministri i ngarkuar me hulumtime dhe grupe punuese