Programet e studimit që i humbi Universiteti  i Gjilanit

Universiteti publik i Gjilanit ”Kadri Zeka” numëron gjithsej katër fakultete në të cilat studentët kanë ndjekur studimet deri tani, mirëpo pas vlerësimit të fundit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) Fakulteti i Edukimit nuk do të mund të pranojë studentë të rinj.

Programe si ‘Juridik i përgjithshëm’, ‘Edukim Fillor’ dhe ‘ E-qeveria’, janë disa nga programe që dështuan ti plotësojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë sa i përket stafit akademik.

Mbledhja e fundit e KShC  universitit të Gjilanit i tërhoqi akreditimin  gjashtë programeve studimore, të cilat tashmë nuk do të mund të pranojnë studentë të rinj deri në një vendim tjetër.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në mbylljen e procesit të ankimimit, ndaj vendimeve të KShC-së.

Për secilin program studimi të nivelit Bachelor duhet pasur tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Programet që plotësuan këtë kriter dhe rifituan akreditimin janë; ‘Banka, Financa dhe Kontabilitet’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Menaxhment’ në nivelin Bachelor, ‘Shkenca kompjuterike’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Qeverisje lokale dhe shoqëri demokratike’ në nivelin Master i shkencës.

Ky universitet kishte aplikuar edhe me programin ‘Matematikë edukative’ në nivelin Bachelor i shkencës, me të cilin kaloi ‘pragun’ në shkallën e parë të vlerësimit.

Programeve që iu tërhoq akreditimi si pasojë e mosplotësimit të këtij kushti sipas KShC-së, janë ‘E-qeveria’ në nivelin Master, ‘Edukim fillor’ në nivelin Bachelor, ‘Juridik i përgjithshëm’ në nivelin Bachelor, ‘Marketing’ në nivelin Bachelor, ‘Edukim Parashkollor’ në nivelin Bachelor.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 4 programe studimore valide dhe i tërhoqi 5 të tjera UKZ-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UKZ kishte marrë dritën e gjelbër për 1 program të ri.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Shembull i tërheqjes së akreditimit si program studimor në UKZ është “Edukimi Fillor”, në Fakultetin e Edukimit, në nivelin Bachelor dhe kjo për arsye se bartësit e këtij programi kishin doktoratë në fushën e ‘Gjuhësisë dhe Didaktikës’, ‘Filologjisë’, ‘Filologjisë’ dhe ‘Filologjisë’.

Këto vendime të KShC-së, shtyrën gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, e mes tyre edhe rektori i UKZ-së Bajram Kosumi, të cilët kërkuan që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Universiteti publik i Gjakovës mbetet pa Fakultetin e Edukimit

Mitrovicasit mbesin pa Fakultetin Juridik dhe të Edukimit

Afër 50 për qind e drejtimeve në Universitetin e Pejës do mbyllen

 

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

 

 

ETIKETA

07 Shkurt 2019 - 16:36

Liridona Ademaj 07/02/2019 - 16:36
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Programet e studimit që i humbi Universiteti  i Gjilanit

by Liridona Ademaj
NA NDIQNI

Send this to a friend