Universitetet publike kërkojnë shkarkimin e anëtarëve të KSHC-së dhe riakreditimin e programeve të kaluara

Rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës sot mbajtën konferencën e përbashkët për të shqyrtuar njoftimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë rreth vendimeve të mbledhjes së datës 15 dhe 16 janar 2019, për tërheqjen e akreditimit dhe refuzimin e 42 programeve studimore.

Sipas njoftimit nga konferenca, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka treguar papërgjegjësi ndaj dispozitave ligjore në fuqi.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka treguar papërgjegjësi profesionale me rastin e vlerësimit të fushave të programeve studimore dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë është i politizuar dhe vendimet e tij janë tendencioze. Këto vendime, ndërlidhen me politikën e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për mbylljen e universiteteve të reja publike”, thuhet në njoftim.

Rektorët e këtyre gjashtë universiteteve publike kërkuan që deri më 28 janar të këtij viti të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre për tërheqjen dhe refuzimin e akreditimit për programet që kanë qenë të akredituara.

“Deri në marrjen e vendimeve të sipërshënuara Konferenca e Rektorëve ka vendosur që të ndërpresë të gjitha komunikimet me Këshillin Shtetëror të Cilësisë”, thuhet në njoftim.

“Nëse organet kompetente deri me datë 28.01.2019, nuk aprovojnë kërkesat e Konferencës së Rektorëve, atëherë nga data 29.01.2019, universitetet publike do të fillojnë grevë të përgjithshme dhe protesta deri në plotësimin e kërkesave si më sipër”, thuhet tutje në reagim.

KALLXO.com i ka kërkuar kryetarit të KShC-së, Gazmend Luboteni, të komentojë këto kërkesa, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

21 Janar 2019 - 21:52

Liridona Ademaj 21/01/2019 - 21:52
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend