Foto: Kallxo.com

Rektorët para Komisionit për Arsim: Në Excel pamë vetëm ngjyrën e kuqe

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi sot diskutoi kërkesën e gjashtë rektorëve të universiteteve publike për shkarkim të Këshillit Shtetëror të Cilëisë pas mosakreditimit të disa programevetë studimit.

Rektorët deklaruan se 40 për qind e programeve të këtyre universiteteve nuk janë akredituar dhe se është duke u bërë “gjueti shtrigash” në profesoratin e Kosovës.

Kryetari i Komisionit Ismajl Kurteshi u kërkoi rektorëve që të bashkëbisedojnë me anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë meqenëse nuk kanë pranuar që sot të ballafaqohen me ta.

Ai theksoi se ky Këshill është institucion i pavarur dhe se të gjithë jemi të detyruar që ta respektojmë pavarësinë e tyre.

“Ata janë të obliguar ta respektojnë ligjin derisa Këshilli vepron bazuar në ligj ne do ta respektojmë pavarësinë e tyre dhe nuk do ta kontestojmë aspak. Nesër në takimin që do ta kemi me KSHC do t’i lusim që t’ju kontaktojnë dhe të nxjerrin argumentet për vendimet e tyre. Për ne është me rëndësi se a ka vepruar këshilli bazuar në ligj apo ka shkelur procedurat dhe këtë do ta konstatoni kur të takoheni bashkë.”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkaq, deputetja Teuta Haxhiu duke u bazuar në letrën e përbashkët të rektorëve të universiteteve publike ajo theksoi se universitete e reja duhet të qëndrojnë hapur vetëm nëse ofrojnë cilësi.

Kjo deputete u tha rektorëve se shumë prej jush keni të punësuar disa nga anëtarët e KSHC-së në universitetet tuaja andaj në parim s’mund t’i quani politike.

“Në Kosovë nuk ka universitete private aty janë biznese. Ju mund t’i bëni konkurrencë me cilësi dhe kuadro. Të punojnë profesorët në 5-6 vende nuk është e mundur as fizikisht. Jam në mbrojtje të studentëve dhe universiteteve publike por jo për të mbrojtur jo vlerën dhe ju kisha lut që të punoni në këtë drejtim.”, ka thënë Haxhiu.

Ajo gjithashtu theksoi se pavarësisht historisë së Agjencionit për Akreditim, nuk po arrijmë që të pranojmë vendimet e tyre edhe kur nuk na pëlqejnë.

Haxhiu gjithashtu aludoi që kërkesat e këtyre rektorëve janë të bazuara edhe në interesat e tyre financiare.

“Më shqetësoj fakti qe ju thatë që janë synuar programet me studentë në numër të shumë e kjo është me vra veten dhe rininë tonë e kjo vrasje e rinisë është edhe vrasje e jona. Nuk po arrijmë të zhvishemi nga ajo që interesi personal është para të gjithave nuk qëndroni keq edhe ju me angazhime jashtë këtyre universitete.”, shtoi deputetja Haxhiu.

Rektori i Universitetit të Gjakovës ”Fehmi Agani”, Shaban Buza tha se nga 14 programe që kanë ekzistuar për Edukim në Kosovë tashmë ka mbetur vetëm një sepse u është tërhequr akreditimi i 13 tjerave.

“Në excel kemi parë vetëm dy ngjyra atë ditë, shumë pak kemi pa të gjelbër e shumë të kuqe. Unë se kisha marrë guximin me i vlerësu 2 mijë mësimdhënës se çfarë fusha janë, e ata e kanë bërë atë që duhet bërë vetëm ekspertët. Edukimi p.sh. është multidisiplinar, pra cili ka qenë kriteri i fushës dhe jo i fushës. Nuk është lëmia vetëm me atë që diplomon, ka raste në botë që ti diplomon me një fushë dhe merresh me krejt diçka tjetër.”, tha rektori Buza.

Duke u bazuar në konstatimet e rektorëve, deputetja Valentina Bunjaku pohoi që universitetet e reja publike janë hapur politikisht por sipas saj, nuk do të lejohet që të mbyllen politikisht.

“Ministri nuk është deklaruar se ka dashur t’i mbyllë universitetet por nëse një universitet mbetet vetëm me një program atëherë nuk e di pse duhet të jetë i hapur. Nuk duhet shumë për me e vlerësu se a duhet me u akreditu apo jo sepse duhet të konsultohen me akterë të ndryshëm.”, tha Bunjaku.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Marjan Dema tregoi që KSHC-ja i ka tërhequr UP-së 13 programe ekzistuese të akredituara.

Tërheqja e këtyre programeve të cilat Dema i cilësoi si ‘substanciale’, tregoi që rrezikojnë Fakultetin e Edukimit.

“Sa i përket problemeve teknike ne kemi dhënë arsyetimin tonë në momentin e aplikimit ndërsa bartësit tonë kanë pasur dokumentacion të kompletuar. Ka pasur shumë parregullsi në formën e aplikimit online e-aplikimi. KSHC ka marrë vendime pa pasur ekspertë të jashtëm, kanë marrë vendime ad-hoc. Nuk kemi pasur monitorim të ekspertëve të jashtëm të këtyre vendimeve.”, deklaroi Dema.

Rektori i UP-së gjithashtu shtoi se tërheqja e akreditimit të programeve të cilat janë akredituar me bartësit e njëjtë ka ndodhur si pasojë e mungesës së ekspertëve të fushës.

Dema vlerësoi se KSHC nuk ka kompetencë të vlerësoj bartësit e fushave të caktuara sepse sipas tij, anëtarët e këtij këshilli nuk përfshijnë të gjitha fushat.

“Ky Këshill Shtetëror i Cilësisë ka vendosur në mënyrë selektive, ka raste kur e kanë shkruar profilin e diku nuk e kanë shkruar. Ka edhe raste që nuk i ka plotësuar kushtet por e kanë pranuar. P.sh. refuzohet udhëheqja në arsim ku bartës ka qenë Ethem Ceku i cili qe shtatë vite është dekan ose gazetaria të gjithë e njohin Milazim Krasniqin i cili është gazetar dhe ata kanë thënë që nuk është i fushës. Në Fakultetin Ekonomik janë refuzuar në tri nivele programet e marketingut dhe në Kosovë nuk gjen më të përgatitur se aty.”, përfundoi Dema.

Ushtruesi i detyrës së rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” Ismet Temaj tha se u janë tërhequr programe që i kanë pasur për vite me radhë në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Këtij universiteti sipas tij, në programet që nuk janë akredituar nuk i mungon numri i profesorëve me përjashtim të gjuhës gjermane.

“Prej 24 programeve, katër janë tërheqje e akreditimit e katër janë anuluar.”, ka thënë Temaj para komisionit.

Për rektorin e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi periudha kohore kur janë shqyrtuar këto programe ka qenë e pamjaftueshme sepse në kushte normale do t’u duheshin shtatë deri në tetë muaj vlerësim nëpër universitete.

Aplikimi i kërkesës së MAShT-it dhe KSHC-së që për çdo fushë të jenë katër profesorë doktor, sipas Kosumit ‘është antiligjore sepse s’mund t’u kërkohet kjo universiteteve për programet që tashmë kanë qenë të akredituara’.

“Mund ta shtojnë këtë kriter por të kërkohet në programet e reja që aplikojmë por jo ato që riakreditohen. Asnjë debat nuk ka qenë kurrë për fushat studimore dhe tani këto tema janë manipulime unë vetë kam qenë pjesë e këtij agjencioni dhe krejt çka po flitet është propagandë. KSHC ka kërkuar që të jenë të fushave të ngushta por duhet të bëjnë një dokument që të kërkojnë këtë.”, deklaroi rektori Kosumi.

Ai gjithashtu theksoi se ka fusha që janë interdisiplinare dhe s’mund të kërkohet që të ketë doktorë të fushës së ngushtë siç është Edukimi apo Gazetaria.

Rektori i Universitetit të Mitrovicës ”Isa Boletini”, Alush Musaj i tha Komisionit për Arsim se vendimet e KSHC-së i kanë befasuar për të keq e veçanërisht atë si rektor, sepse i janë mbyllur programe të cilat ka vite që janë hapur.

Ai gjithashtu theksoi se dyshon që programet që u janë akredituar janë aprovuar ‘vetëm që të mos jetë krejt tabela kuq’.

“Ne po flasim për shqetësimet qe kanë studentët dhe stafi akademik. Kërkojmë që të mos udhëhiqen me inate apo me politika ditore.”, deklaroi Musaj.

Fadil Millaku rektor i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” tha se vendimet e KSHC-së janë të pabazuara dhe se po i dëmtojnë universitetet e reja publike.

Sipas tij, anëtarët e KSHC-së kanë treguar papërgjegjësi profesionale në vlerësimin e programeve që kanë mbyllur sepse ‘nuk kanë ditë që të bëjnë vlerësimin e temave të doktoratave’.

“Këto vendime kanë shkuar konform qëndrimeve të MAShT-it i cili ka qenë për mbylljen e universiteteve të reja. Meqenëse i ka mbyllur më shumë se 40 për qind të programeve më së shumti ka prekur në programet ku ka pasur më së shumti studentë dhe ky konstatim nuk është vetëm i imi por i të gjithëve.”, deklaroi rektori Millaku.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt, Agron Bajraktari tha se KSHC i mbylli programin që është akredituar që nga hapja e këtij universiteti dhe se këso lloj vendimesh do të duhej të bazoheshin në raporte të ekspertëve të fushës.

Edhe Bajraktari theksoi se ‘mbyllja e universiteteve të reja është synimi i ministrit që nga koha kur ka marrë pozitën, vetëm se tash ka ndërruar formën për arritjen e këtij qëllimi’.

“Numri i studentëve të atakuar është 70 për qind, neve na lë me dy apo tri programe me të cilat s’mund të veprojmë. Ne jemi ngritur me staf e me laboratorë dhe kështu na kanë mbështetur për muri. Ata kanë marrë një vendim që s’kanë të drejtë ta marrin.”, u shpreh rektori i USHAF.

Deputetja Albulena Balaj tha se ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi ka kërkuar shndërrimin e universiteteve në kampuse dhe jo mbylljen e tyre, prandaj edhe dyshimet në mosvlerësimin adekuat duhet që t’i ndjekin përmes rrugëve ligjore.

“Ju e dini që AKA është institucion i pavarur dhe konkursi ka qenë publik, e secili profesor ka mundur të konkurroj. E dini problemin me ENQA dhe EQAR kush e merr përgjegjësinë e vendimit nëse i shkarkojmë. Ndjekni anët ligjore dhe ne ju qëndrojmë pas dhe secili vendim që ka qenë i gabuar dikush duhet të jap përgjegjësi”, ka thënë kjo deputete.

Ndërsa, deputeti Driton Caushi tha se hapja e universiteteve të reja publike ka ndodhur para fushatave elektorale dhe siç theksoi ai, ‘asnjë prej tyre nuk është hapur për nevoja apo kapacitete për të hapur një universitet’.

Ai gjithashtu theksoi se këto universitete janë ilegale për nga emërimi dhe funksionimi sepse siç u shpreh Caushi, ‘sipas ligjit nuk mund të quhen universitete’.

“Universiteti “Hasan Prishtina” ka shumë probleme dhe hapja e universiteteve të tjera ka hapur më shumë probleme. Pa e rritur cilësinë në UP kemi hapur universitete të tjera të cilat nuk e plotësojnë kriterin ligjor të quhen universitete. FSHMN ka kërcënuar me grevë dhe më të drejtë për mungesë të kushteve minimale për punë. Pra përderisa në UP këto drejtime bazike dhe esenciale nuk kanë kushte të punës ne i kemi hapur universitete në katër drejtime të juridikut nëpër Kosovë”, vazhdoi tutje ai

https://kallxo.com/dokument-kshc-iu-pergjigjet-rektoreve-nuk-i-plotesuat-kriteret/