Maratona e shkeljeve ligjore në tenderin për ujësjellës

Qytetarët e Dragashit janë duke u privuar nga furnizimi me ujë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme ligjore që janë duke u bërë nga Komuna e tyre. Projekti për shtrimin e rrjetit të ujësjellësit ka nisur për herë të parë në qershor të vitit 2016 ende nuk është finalizuar. Pas disa tentimeve, kjo komunë kishte vendosur që të anulonte procesin e prokurimit duke e rishpallur tenderin e ri me disa ndryshime të vogla në projekt.

Edhe pas rishpalljes, kanë vazhduar problemet e njëjta me protagonistët e njëjtë, pasi kompanitë ankuese kanë mbetur të njëjta.

Gjykata e Tenderëve disa herë ka vendosur për këtë tender, duke e kthyer procesin në rivlerësim. Siç shihet në vendimin e fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Komuna e Dragashit nuk i ka përfillur obligimet që kanë derivu prej vendimit të OSHP-së.

“Paneli shqyrtues sqaron se Komuna e Dragashit, gjatë ri-vlerësimit përkundër këtij Vendimi dhe Vendimeve tjera të OSHP-së ka rekomanduar për kontratë OE të njëjtë edhe pse është konstatuar se OE në fjalë nuk i përmbush kërkesat e autoritetit kontraktues, ndërsa vetë AK-ja, të njëjtin operator ekonomik dy herë radhazi e ka klasifikuar si OE të papërgjegjshëm, ndërsa kësaj radhe e konsideron si të përgjegjshëm duke u thirrur në Nenin 72 të Ligjit të Prokurimit, përkundër asaj se edhe pas kërkesës për sqarime, grupi i OE i rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar licencë për gurëthyes”, thuhet në vendimin e fundit të OSHP-së për këtë tender.

Ky vendim i OSHP-së vije pas vendimit të Komunës së Dragashit, të datës 11 korrik, për përzgjedhjen e kompanisë për projektin e ujësjellësit. Kësaj radhe kishte zgjedhur një grup të operatorëve për t’ua dhënë kontratën për këtë projekt.

Anulimi vjen pas ankesës së Operatorëve Ekonomik, “Puna” sh.p.k & NN “Infra Plus” dhe NPT “Fanaj Ingeniniering” & “Lala” sh.p.k Prizren, të cilët kanë pretenduar se Autoriteti Kontraktues, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

Në seancën e OSHP-s, eksperti ka thënë se “AK gjatë rivlerësimit përkundër këtij vendimi edhe vendimeve të tjera të OSHP-s, ka rekomanduar për kontratë OE të njëjtë edhe pse është konstatuar se OE në fjalë është i papërgjegjshëm duke u thirrur në nenin 72, përkundër se edhe pas kërkesës për sqarime grupi i OE të rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar licencën për gurëthyes OE me të cilin ka nënshkruar kontratë”.

Edhe përfaqësuesi i “Fanaj Inginiering”, kishte thënë se nuk dëshmohet se menaxheri i plotëson kushtet sipas kërkesës në dosjen e tenderit.

Sipas këtij operatori, lënda është përsëritur disa herë dhe se do të qëndrojnë deri në fund në zgjidhjen e këtij problemi.

Komuna e Dragashit, nuk është pajtuar me mendimin e ekspertit, duke thënë se “eksperti e konsideron si të gjykuar këtë lëndë”.

“Ne kemi respektuar vendimin e fundit të OSHP ku na është bërë rekomandim të përdorim nenin 72 për informata shtesë dhe këtë e kemi aplikuar”, thotë përfaqësuesi i Komunës së Dragashit.

Rekomandimi për kontratë dhe anulimet që janë bërë në tenderi për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit nga Komuna e Dragashit
Rekomandimi për kontratë dhe anulimet që janë bërë në tenderi për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit nga Komuna e Dragashit

 

Por, në vendimin e OSHP-së thuhet se OE i rekomanduar për kontrata nuk ka ofruar dokumente të mjaftueshme.

“Paneli Shqyrtues sqaron se përkundër kërkesës për sqarime shtesë, grupi i OE të rekomanduar për kontratë , lidhur me kërkesën e specifikuar në Nenin 9.1 nuk ka arritur të ofrojë si dëshmi licecën nga organet kompetente për gurëthyes ashtu sic është kërkuar në nenin 9.2 të Dosjes së Tenderit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Autoriteti kontraktues Komuna e Dragashit, njoftimin për dhënie të kontratës për procedurën “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve (Projekt tre vjeçar)”, ia kishte besuar Grupit të Operatorëve Ekonomik: N.N.P.”EBK”, NNTPP “Gashi Ing “, “VODOSKOK D.D.” dega në Kosovë, “Muratori” SH.P.K. me çmimin vlera më e ulët 1.087.442,62 euro.

Me datën 8 qershor, është dhënë kontrata, ndërsa, data e nënshkrimit të kontratës ishte 22 qershor 2018.

Gazeta Jeta në Kosovë, vazhdimisht e ka përcjell tenderin për ujësjellësin në Komunën e Dragashit.

Në nëntor të vitit 2017, Gazeta Jeta në Kosovë, kishte shkruar se Komuna e Dragashit për disa herë me radhë është dashur ta mbrojë vendimin e saj para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Në dy tenderë të ndryshëm, por për punën e njëjtë, Komuna e Dragashit ka bërë shkelje ligjore duke e zvarritur zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. 

Në shkurt të vitit 2018, gazeta ka shkruar se tenderi për shtrimin e ujësjellësit në Komunën e Dragashit është kthyer në rivlerësim dhe se i njëjti disa herë është anuluar për shkak të shkeljeve të përsëritura ligjore që janë bërë nga Komuna e Dragashit.

Edhe në maj të këtij viti gazeta ka shkruar se Komuna e Dragashit, nuk ka mundur ta përfundoj procedurën e tenderimit për shtrimin e ujësjellësit.

Që nga qershori i vitit 2017,  ka filluar procedura e prokurimin për këtë tender dhe tri herë OSHP ka marr vendim për anulim të dhënies së kontratës.

06 Gusht 2018 - 10:29

Amire Qamili 06/08/2018 - 10:29
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend