Komuna e Suharekës - Foto: Facebook / Komuna Suharekë
Tenderi 74 mijë euro, arrestohet drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani është arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe mashtrim në prokurim publik për një projekt dhjetëra mijëra euro për asfaltim të rrugëve.
Policia e Kosovës njoftoi për aksionin e sotëm duke dhënë se dy të arrestuarit dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre me qëllim të qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona te tjerë.
I arrestuari tjetër është zyrtar komunal, Berat Kabashi, i cili ka qenë menaxher i projektit, për të cilin prokuroria ka arrestuar të dyshuarit.
Në një bisedë për KALLXO.com, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj konfirmoi se njëri nga të arrestuarit është drejtori i tij.
“Njëri prej të arrestuarve është drejtor i Shërbimeve Publike, tjetri është menaxher, punëtor në komunë” – tha Muharremaj për KALLXO.com.
Megjithatë, kryetari Muharremaj tha se nuk kanë pranuar ndonjë informatë zyrtare nga ana e Prokurorisë në lidhje me këto arrestime.
“Informatë zyrtare nuk kam, organet e shtetit e kanë të drejtën ligjore me vazhdu punën e vet. Pa e pasë informatën zyrtare, nuk di. Ne kemi mbi 50 projekte që jemi në terren. Kështu që i presim hetimet përfundimtare” – tha ai.
Muharremaj e konfirmoi se arrestimi është bërë për projektet në fshatin Mushtisht të Suharekës.
“Bëhet fjalë për projekte në fshatin Mushtisht. Bëhet fjalë për një rrugë. “Ka shumë rrugë, diku 20 rrugë janë në Mushtisht, por sa di unë ajo rrugë është shtru në korrik të 2021. Unë di me thanë që metrat katror të rrugës janë aty” – tha Muharremaj për KALLXO.com
I pyetur nëse në lidhje më këtë projekt është intervistuar ndonjëherë nga Prokuroria, kryetari i Suharekës tha që nuk ka pranuar ftesë.
“Prokuroria nuk më ka ftuar dhe s’ka ndonjë arsye. Mundet me m’thirrë Prokuroria kurdo, unë jam në gjendje me dhanë llogari prej kur jam bërë kryetar i Suharekës e deri sot, prej krejt çka ka ndodhë, për çdo sen” – tha ai.
Dy zyrtarët komunale të arrestuar, sipas policisë dyshohen se kanë përpiluar procesverbaleve dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar.
KALLXO.com merr vesh se bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës.
Prokuroria në arsyetimin e saj për arrestimin e të dyshuarve pretendon se dy zyrtarët komunalë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit me vlerë prej 74 mijë eurove.
Prokurori i këtij rasti është Petrit Kryeziu nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.